E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç kërcënon

Mali i Zi dhe Maqedonia të kenë kujdes para se të njohin pavarësinë e Kosovës

I gjendur pa shumë alternativa, presidenti i Serbisë u është kthyer fqinjëve të Ballkanit, duke i kërcënuar nëse ata njohin pavarësinë e Kosovës. Boris Tadiç i bëri thirrje dje Maqedonisë që të mos njohë shtetin e ri të Kosovës, gjatë një takimi që pati me homologun Branko Cervenkovski, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. Kreu i shtetit serb tha se qeveria e Beogradit “do të ndërmarrë masa korresponduese” nëse Shkupi vendos të njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Lajmi u raportua dje nga agjencia maqedonase e informimit, “MIA”. Sipas agjencisë, presidenti maqedonas është shprehur se, përpara se të marrë një vendim, qeveria e Shkupit do të marrë në konsideratë të gjithë “Pro”-të dhe “Kundra”-t në këtë çështje. Përpara publikimit të lajmit në agjencitë maqedonase, Tadiç foli për shërbimin në serbisht të “Zërit të Amerikës”, duke thënë se Beogradi nuk do të tregojë mirëkuptim nëse fqinjët e Serbisë vendosin të njohin pavarësinë e Kosovës, që sipas tij veprime të tilla do të sillnin destabilizim të vendit. “Serbia nuk mund të pranojë një gjë të tillë pa dhënë përgjigje. Natyrisht që ne nuk do të shkojmë kurrë më në luftë. Ne nuk do të destabilizojmë shtetet e tjera, por do të veprojmë si një shtet me dinjitet, i cili mbron integritetin e vet”, -tha Tadiç, i cili u bëri thirrje qeverive në Shkup e Mal të Zi që të marrin parasysh këtë fakt përpara se të vendosin. Deklarata e tij vjen në një kohë kur po shtohen gjithnjë e më shumë sinjalet pozitive për njohjen e shtetit të Kosovës nga fqinjët e saj në Ballkan. Vetëm një ditë më parë, Tadiç i dha të njëjtin paralajmërim Malit të Zi, duke thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Podgorica do të ishte e papranueshme për Serbinë. Deklaratën e tij presidenti serb e bëri pas një takimi me homologun malazez, Filip Vujanoviç, në Nju Jork. “Unë kam paraqitur qëndrimin se njohja e Kosovës nga Podgorica zyrtare do të ishte një gjest plotësisht i papranueshëm dhe se Mali i Zi duhet të ndjekë reagimet e Serbisë, pasi një veprim i tillë nuk do t’i shërbente askujt”, pohoi kreu i shtetit serb. Presidenti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos ushtrojë presion ndaj Malit të Zi. “Jemi gati të ndërmarrim një aksion diplomatik për të bindur vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, se ushtrimi i presioneve ndaj Malit të Zi është diçka jofunksionale dhe e panevojshme”, ka shtuar Tadiç. Ndërkohë, presidenti malazez ka deklaruar në një intervistë televizive, se Mali i Zi do të prononcohet për Kosovën kur kjo çështje të jetë në rend të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›