Mazllum Baraliu emërohet rektor i Universitetit të Prizrenit

Ndërkohë që procesi mësimor në Universitetin Publik të Prizrenit është shtyrë për datën 10 tetor, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja ka nënshkruar të shtunën vendimin, sipas të cilit Mazllum Baraliu emërohet rektor i këtij universiteti.
Emërimi i Baraliut u bë në bazë të vendimit të Bordit të Përkohshëm të Universitetit të Prizrenit, i cili i propozoi ministrit tre nga katër kandidatë të mundshëm për rektor, Mazllum Baraliu, Agim Paca dhe Enver Sopjani. Kandidat i katër në garën për postin e rektorit ka qenë edhe Zahadin Shemsedini.
Propozimet u bënë pas votimit të fshehtë të anëtarëve të Bordit, i cili votim u realizua pas intervistimit të gjithë kandidatëve.
Procesi mësimor në UPZ nuk do të fillojë më 3 tetor, por ai është shtyrë për datën 10 tetor, për shkak të tej zgjatjes të procesit të angazhimit të stafit akademik dhe mos nënshkrimit të deritanishëm të kontratave të tyre të punës nga ana e personit përgjegjës, të caktuar nga MASHT-i, më 21 shtator.