E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Man Booker Prize", fiton autorja e "Virgjëreshës shqiptare"

Kompjuterin ka nisur ta përdorë prej pak më shumë se dy vitesh. Konvertohet ngadalë e shumë vonë me teknologjinë e re. Asnjëherë nuk e ka harruar zakonin e të shkruarit fillimisht me dorë, në një copë letre të bardhë para se të kalojë një hop në tastierë. Për Alice Munro, një histori duhet të jetë gati në dy muaj, nga fillimi në fund, por kjo është e rrallë të ndodhë. Një tregim i merr gjashtë muaj, por edhe tetë nëse ka ndryshime, sidomos kur drejtimet që merr historia janë të gabuara. Shkruan çdo ditë, mëngjeseve. Sapo zgjohet, bën një kafe dhe mundohet që të shfrytëzojë vetëm për veten dy apo tri orë në ditë, para se jeta e vërtetë ta tërheqë pas. Kjo është shkrimtarja kanadeze, Alice Munro, e cila fitoi dje çmimin ndërkombëtar letrar "Man Booker Prize", me një vlerë prej 60 mijë sterlinash. Shkrimtarja 77-vjeçare, autore tregimesh në listën e finalistëve, ka fituar ndaj shkrimtarëve V.S. Naipaul, Peter Carey e Mario Vargas Llosa. "Ndihem vërtet e habitur, por edhe tepër e lumtur", ka thënë Munro. Shkrimtarja kanadeze është e treta që fiton çmimin ndërkombëtar "Man Booker Prize". I pari që e ka fituar ka qenë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare në vitin 2005 dhe Chinua Achibe në vitin 2007. Juria, e përbërë prej shkrimtares Jane Smiley, shkrimtarit, akademikut dhe muzikantit Amit Chaudhuri dhe shkrimtarit, skenaristit e eseistit Andrey Kurkov, e kanë thënë se shkrimtarja kanadeze ka fituar sepse sjell një trajtesë të thellë të mençur dhe të saktë të çdo historie aq sa novelistëve të tjerë u duhet një jetë e tërë për ta arritur. Përgjatë krijimtarisë së saj, Munro ka publikuar përmbledhje të shumta tregimesh, si edhe një roman. Mes çmimeve të shumta letrare ajo ka fituar tri herë çmimin "Governor General‘s Literary" në Kanada dhe çmimin kombëtar "Book Critics Circle" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tregimet e saj botohen rregullisht në revistat më prestigjioze letrare.

Mes tregimeve që zënë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Munro, është edhe ai i titulluar "Virgjëresha shqiptare", ngjarjet e të cilit janë ambientuar në veri të vendit. E frymëzuar prej një tregimi të Edith Durham, të cilin e gjeti fare rastësisht në një bibliotekë, ajo shkroi për historinë e një vajze malësie, e cila kishte zgjedhur të jetonte si burrë. Ishte Virgjëresha. "Dikur shkrova një rrëfim rreth Shqipërisë, që më ka pëlqyer shumë. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë", ka thënë Munro për gazetën prestigjioze "New York Times". E rritur në një fermë, në provincën e një qyteze në Kanada, (Ontario) ajo e ka përjetuar fëmijërinë si një aventurë. "Jeta ime përmbante një dozë rreziku ngaherë. Jetonim përtej çdo strukture sociale në një lloj getoje të vogël mbushur me kontrabandierë apo prostituta. Ishte një komunitet jashtë klasave normale të shoqërisë. Megjithatë ishte një jetë interesante, më shoqëronte një ndjesi e fortë aventure", ka thënë ajo.

Komuniteti prej të cilit Munro rrethohej ishte tepër tradicional, kjo e bënte që të ndihej si një e huaj shpirtërisht, por edhe për sa i përket pozicionit social. Adoleshenca ka qenë për Munro një periudhë vlerash që kundërshtonin njëra-tjetrën. Ndërsa fëmijë, ajo ndihej në një farë mënyre e ndryshme nga të tjerët. Ky fakt e lumturonte. Më pas, në shkollën e mesme, në adoleshencë filloi të ndihej e trishtë. Dëshiroi të ishte një vajzë si gjithë të tjerat, të ndihej tërheqëse për djemtë, donte të dilte, të martohej, t‘i dhuronin brilantë... Dëshironte të ndihej një femër normale. Dhe kjo ndodhi pikërisht në këtë periudhë që u kristalizua edhe dëshira e madhe për të shkruar. Ishte e vetmja gjë që i falte lumturi dhe besim në vete. Kalonte shumë kohë duke ëndërruar me sy hapur. E shihte veten në role heroike. Të parin tregim e botoi në një revistë studentore. Më vonë, kur krijimtaria e saj u konsolidua, deklaroi se "nuk kisha ndërmend të shkruaja tregime, por nisa të merresha me to, sepse nuk kisha kohë të shkruaja asgjë tjetër. Isha nënë e tre fëmijëve". Megjithatë, në një intervistë, është shprehur se ka zgjedhur të shkruajë romane e jo tregime, sepse në këtë mënyrë i duket se shkruan histori që thyejnë disiplinën e tregimit dhe që nuk u binden rregullave të romanit. "Dëshiroj të rrëfej një histori, siç është bërë gjithnjë - çfarë i ka ndodhur dikujt - por dua edhe që këtë ‘çfarë ka ndodhur‘ ta përcjell nëpërmjet ndërprerjeve, çudive, apo ndryshimeve të papritura. Dëshiroj që lexuesi të asistojë në diçka të jashtëzakonshme. Dhe për mua tregimet e gjata e bëjnë shumë mirë këtë". Për Munro, frymëzimi për një histori apo një personazh vjen nga një kujtim, nga një anekdotë, por që më pas humbet dhe nuk njihet më në versionin përfundimtar të tregimit. E nëse e pyet se çfarë këshille do të jepte për shkrimtarët e rinj, ajo përgjigjet se e ka të pamundur. Por, ama, është e qartë kur shprehet se "nëse po përpiqesh të bëhesh shkrimtar, me siguri që do të gabosh mjaft, por pastaj, një ditë do të ndodhi që do të shkruash atë që duhet të shkruash, e më pas do ta bësh gjithnjë e më mirë e kur të jesh plakur do të mendosh: "Duhet të ketë ndonjë gjë tjetër që njerëzit bëjnë në jetë", e atëherë nuk je më i zoti të ndalesh së shkruari". Munro shpesh është konsideruar si një prej shkrimtareve më të mira kanadeze, me një aftësi tepër të saktë në vëzhgimin social, me një intuitë psikologjike depërtuese dhe një mënyrë tepër të qartë të të shprehurit. Ajo rrëfen se kënaqësia dhe tensioni që ndien kur shkruan tregime është tepër i veçantë. /Munro eksploron kompleksitetin njerëzor, duke e rikrijuar si një anekdotë jetën e përditshme. Ajo shkruan kryesisht për gra; burrat janë pjesë e jetës së tyre, janë ata që tradhtojnë e që ushtrojnë dhunë e ndonjëherë edhe të paaftët e historive të saj. Gratë e Munros nuk janë shumë të ndjeshme për sa i përket martesës. Për të divorci nuk është një tragjedi, është thjesht një etapë e zhvillimit. Por nuk është një shkrimtare feministe. Ajo shkruan si një grua që ka harruar se është grua dhe në këtë pikë është e ngjashme me shkrimtaret Doris Lessing apo Toni Morrison. "Është Çehovi i kohëve tona", ky ka qenë komplimenti më i madh që kritika i ka bërë gjatë krijimtarisë së saj si tregimtare. Ajo, ashtu si edhe Çehovi, është e qetë, por tepër e vështirë për t‘u përshkruar, sepse është e veshur me një thjeshtësi natyrale sa duket sikur tregimet e saj janë riprodhimi i vetë jetës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›