Ali Ahmeti, në Bruksel: Të zgjidhet çështja e emrit
Pas qëndrimit të martën në Bruksel, kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se i është thënë që, pa tejkalimin e mosmarrëveshjeve me Greqinë, Maqedonia do ta ketë të vështirë të integrohet në strukturat euroatlantike. Ahmeti pati takime me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Havier Solana, si dhe Komisionerin për Zgjerim, Oli Ren. Sipas tij, në qendër të vëmendjes së këtyre bisedimeve ishin zhvillimet në Maqedoni dhe rajon, si dhe integrimi i vendit në NATO e BE. "Nga zoti Ren m‘u përcoll një porosi mjaft pozitive, se po punohet që deri në fund të këtij viti të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Maqedonisë. Mendoj që ky është një lajm shumë i mirë. Mirëpo, është më se e vërtetë, se pa tejkalimin e mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe të ndonjë problemi tjetër, sigurisht që ne do të kemi vështirësi për anëtarësim të plotë në BE, e para së gjithash, për anëtarësim në NATO", tha Ahmeti për BBC-në.