Shkrimtari Salinger dhe personazhi shqiptar
"Rojë në thekërishtën buzë greminës", libri i autorit amerikan, Jerome David Salinger, vjen në shqip nga shtëpia botuese "Omsca-1". Shkrimtari amerikan ka lindur në Nju-Jork, në vitin 1919. Njihet nga mbarë kritika dhe lexuesit si një nga shkrimtarët më popullorë dhe më me ndikim në letërsinë amerikane të gjysmës së dytë të shekullit XX. Salingeri bëhet i famshëm pas botimit të romanit "Rojë në thekërishtën buzë greminës" më 1951, protagonisti i të cilit, Holden Kolfild, bëhet prototipi i adoleshentit rebel e konfuz në kërkim të së vërtetës dhe së pafajshmes, jashtë botës artificiale të të rriturve. Rreth gjysmës së viteve ‘60, pas botimit të disa tregimeve në revista, Salingeri vendosi të dilte nga skena e letrave e të mos botonte më asgjë. Edhe pse ngjarjet e romanit vendosen në Nju-Jork, shumë lexues thonë se protagonisti sikur vjen nga një epokë e errët ose nga një vend i panjohur. Kolegu i tij, gazetari veteran, G. Talese, shkrimtar i njohur e historian, në librin e tij "The Kingdom and the Power", thotë se në vitin 1950, Salingeri kishte ndaluar edhe në Shqipëri. Talese thotë se në dhjetor të vitit 1950 ai e takoi Salingerin rastësisht në Union Station, stacioni qendror i trenave në Nju-Jork. Duke ecur e biseduar, Salingeri u ndal para një kioske, duke thënë se gjatë qëndrimit në Shqipëri ai kishte njohur një person që e kishte ndihmuar shumë, prandaj po blinte një kartolinë për t‘ia dërguar mikut të tij në shenjë mirënjohjeje. Nga këto pohime janë hedhur pikëpyetje se ndoshta personazhi i tij kishte lindur nga një frymëzim shqiptar.