E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet sot sesioni i dytë ndërplarlamentar Kosovë-PE

Prishtinë- Sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet sesioni i dytë në kuadër të takimit të dytë ndërparlamentar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Delegacionet i udhëheqin kryeparlamentari Krasniqi dhe eurodeputetja Doris Pak. Ndërkaq dje pasdidte në sesionin e parë të zhvilluar me dyer të mbyllura ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës, kryesuesja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Vendet e Evropës Juglindore Doris Pak është shprehur se kjo vizitë e fundit, para zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian, tregon interesimin e BE-së për proceset në Kosovës që dëshmohet edhe me Rezolutën e miratuar në njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

"Kosova përkrahet më shumë se çdo vend tjetër jo anëtar i BE-së”, ka thënë Pack, e cila i ka inkurajuar institucionet e Kosovës për përkushtim ndaj ligjeve, bashkëpunimit ekonomik dhe integrimeve rajonale, thuhet në një njoftim. Kryeparlamentari Jalkup Krasniqi ka konstatuar se nga takimi i fundit ndërparlamentar, në Kosovë kanë ndodhur zhvillime pozitive, të cilat e kanë përparuar në të gjitha fushat e jetës.

Gjatë gjithë kësaj periudhe është mbajtur një stabilitet i mirë politik, ka thënë në vazhdim kreu i Kuvendit, i cili ka theksuar se në Kosovë ka siguri, kohezion shoqëror dhe proces të vazhdueshëm të pajtimit ndëretnik, theksoi ai. Krasniqi ka vënë në pah se përfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucione politike, në administratë dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore e ekonomike ka ecur relativisht mirë, por ka theksuar se institucionet ilegale, të nxitura dhe të financuara nga regjimi i Beogradit, janë bërë pengesë serioze e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.

Krasniqi i ka garantuar parlamentarët evropian për përkushtimin e institucioneve të vendit për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit, të decentralizimit dhe formimit të komunat e reja, atje ku pjesëtarët e pakicave janë popullsi shumicë, duke u dhënë kompetenca të larta në fushë të arsimit e të shëndetësisë.

Drejtori i Departamentit të Evropës Jugore dhe Juglindore, Tomas Szunyog, ka folur në emër të Zyrës Kryesuese të Këshillit të Bashkimit Evropian. Ai ka theksuar se me gjithë vështirësitë për shkak të reformave institucionale dhe krizës financiare botërore, BE ja nuk ka hequr dorë që me kohë t'i anëtarësojë të gjitha vendet e Ballkanit.

"Ne e diskutojmë vazhdimisht gjendjen në Kosovë, sepse mendojmë që Kosovës t'i sjellim perspektivë evropiane të zhvillimit", ka thënë Szunyog. Ai i ka sugjeruar Qeverisë së Kosovës që në agjendën e saj të fusë edhe më me përkushtim çështjet e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Në emër të Komisionit Evropian ka folur Renco Daviddi, i cili takimin e ka përshëndetur në emër të komisionarit për zgjerim të BE së, Oli Rhen.

Vitin 2009 ai e ka quajtur të rëndësishëm për Kosovën për shkak të studimit të fizibilitetit për vendin tonë dhe Raportit të progresit të Komisionit Evropian që është duke u përgatitur. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›