E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbarojnë rezervat, s’ka gjak në spitale

Rezervat po mbarojnë dhe vendi është në prag krize për gjak. Alarmi ngrihet nga vetë drejtuesit e shëndetësisë. 

ZIRINA LLAMBRO

 Zv/ministri Arben Ivanaj, bëri dje apel publik për rritjen e dhuruesve vullnetarë. Është e vetmja zgjidhje që mund të ofrohet pasi për të importuar gjak nga jashtë nuk bëhet fjalë. Të gjitha kërkesat e bëra janë refuzuar nga vendet fqinje. Duke lënë mënjanë koston goxha të lartë, ministria e ka pasur të pamundur të gjejë treg për blerjen e gjakut. Pasojat e mungesave po rëndojnë gjithnjë e më tepër të sëmurët kronikë. “Në 10-ditëshin e fundit të gushtit, pacientët me sëmundje kronike kanë marrë 2 herë më pak gjak, se sa ishte parashikuar të merrnin. Stoku aktual në spitale dhe në bankat e  gjakut është pakësuar”, deklaroi zv/ministri. Për personat që vuajnë nga anemia e theksuar e gjakut gjendja e krijuar është  rrezik për jetën. Kjo kategori të sëmurësh duhet të kryejë transfuzion gjaku mesatarisht tre herë në muaj. Situata e rëndë në spitale ka ardhur si pasojë e reduktimit të operacioneve të planifikuara. Sipas urdhrit të ministrisë, janë familjarët që në të tilla raste dhurojnë gjak për të afërmit. Në mungesë të kësaj kategorie dhuruesish bankat e gjakut janë thuajse të zbrazura. Ndërgjegjësimi i popullsisë është në nivele shumë të ulta. “Është shumë e rëndësishme që të mirëkuptohet mesazhi që burimi i vetëm i dhurimit të gjakut të jetë njeriu”, u shpreh Arben Ivanaj. Ai theksoi gjithashtu se, në ditët në vijim Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë fushatën sensibilizuese, që në fakt startoi dje nga vetë stafi i këtij dikasteri. Punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë, u drejtuan në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Laprakë, ku duke dhënë gjak për njerëzit në nevojë, apeluan për dhurim vullnetar. “Kjo është një thirrje sensibilizuese, për të gjithë ata persona të shëndetshëm, të cilët duhet të bëjnë këtë veprim humanitar për pacientët e sëmurë që kanë nevojë për gjak”, nënvizoi zv/ministri.
Për të plotësuar nevojat për të sëmurët kronikë dhe për urgjencat, gjatë një viti duhen mesatarisht 35 mijë dhurime. Por në bankat e gjakut numri i tyre nuk e kapërcen 20-mijëshin. Pas shtatorit normalisht ka rreth 700 dhurime gjaku në muaj, numër ky aktualisht i reduktuar deri në rreth 250 dhurime. Sipas të dhënave, shtimi i aksidenteve gjatë verës si dhe vazhdimi normal i kërkesave për gjak nga pacientët me anemi kronike, i ndjekur edhe nga ulja e dhurimeve, bën që pamjaftueshmëria për gjak të bëhet tejet e ndjeshme. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›