E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbërrijnë 23 tonë ushqime në Skrapar

04/02/2005  Mbi 400 familje në 6 komuna në pritje të ndihmave

SKRAPAR – Dje, në mesditë, drejt rrethit të Skraparit kanë udhëtuar disa makina të ushtrisë, të cilat transportonin 23 tonë ndihma ushqimore, për banorët e izoluara të zonave në këtë rreth. Burime të Prefekturës e të Këshillit të Qarkut, bëjnë të ditur se ndihma janë kryesisht miell, fasule, vaj dhe biskota, të cilat do t’u shpërndahen rreth 400 familjeve të 6 komunave më problematike. Sipas burimeve zyrtare nga prefektura, ndihmat janë shoqëruar nga kryetari i grupit të emergjencave, Halim Koxhaj dhe u janë dorëzuar drejtuesve të pushtetit vendor në rrethin e izoluar nga reshjet e dëborës.

Në rrethin e Skraparit kryetarët e komunave, nën drejtimin e nënprefektit Fatos Hasani kanë bërë shpërndarjen sipas nevojave urgjente të familjeve në nevojë.

Burime nga grupi i emergjencës, bëjnë të ditur se kanë qenë 6 komunat Gjerbës, Leshnje, Zhep, Potom, Çepan e disa fshatra të komunës Bogovë, të cilat kanë përfituar ndihmat emergjente.

Prefekti i Beratit tha për gazetën se ndihma po u jepen më parë familjeve që kanë nevojë urgjente për ushqime. Deri tani në të gjithë prefekturën e Qarkut të Beratit jane evidentuar mbi 400 familje në nevojë, të cilat duhen ndihmuar menjëherë pasi rezervat ushqimore janë drejt fundit.

Prefekti i Qarkut, Broka, nuk ka ngelur pa u tërhequr vëmendjen edhe disa pushtetarëve, të cilit më parë duhet të kishin evidentuar gjendjen emergjente që kanë pasur shumë familje sidomos në komunat e rrethit të Skraparit, të cilat në përpilimin e listave janë shumë me vonesë. Po kështu, prefekti Broka ka tërhequr vëmendjen edhe të krerëve të komunave që pas marrjes në dorëzim të ndihmave nga magazinat e pushtetit vendor në qendër të rrethit, ndihmat duhet menjëherë t’u shpërndahen familjeve pa pasur asnjë lloj abuzimi.

Pas këtij kontigjenti ndihmash, nëse gjendja e motit do të përkeqësohet në rrethin juglindor dhe nëse zonat e izoluara nga dëbora nuk do të kenë energji elektrike, ndihmat do të vazhdojnë për një kontigjent të dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›