Mbërrijnë ndihmat nga Sllovenia, Greqia dhe Maqedonia
"Në këto ndihmë përfshihen disa automjete zjarrfikëse, varka shpëtimi, pompa për nxjerrjen e ujit, gjeneratorë, si dhe mjete të tjera logjistike që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste fatkeqësish natyrore. Në ndihmë të forcave të Policisë dhe Ushtrisë shqiptare, kanë mbërritur edhe 35 trupa ushtarake greke dhe efektiva zjarrfikës, të specializuara për ndërhyrje të shpejta në raste emergjencash", deklaroi Alfred Olli, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Emergjencave Civile në Ministrisë së Brendshme
Olli shtoi se, ndihma për banorët në zonat e prekura nga përmbytjet kanë mbërritur sot në mëngjes edhe nga Maqedonia, që shoqërohen me ekipe të specializuara për rastet e emergjencave civile. Ndërkohë, të tjera ndihma pritet të mbërrijnë nga disa shtete të tjera.
Komiteti Ndërministror, nëpërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Emergjencave Civile i është drejtuar për ndihmë emergjente Qendrës së Emergjencave të NATO-s (EADRCC) dhe Qendrës së Emergjencave Europiane (MIC-ut).
Të dy qendrat i drejtuan një apel vendeve anëtare për dhënien e ndihmës Shqipërisë sipas kërkesave dhe specifikimeve të kryera nga ana jonë. Deri tani kanë ardhur ndihma, kryesisht në pajisje logjistike për të përballuar situatën e përmbytjeve në veri të vendit nga Italia, Franca, Austria etj.