E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin me letër-porosi nga SHBA dëshmia e Diverolit



Autoritetet amerikane e dorëzojnë dëshminë në Prokurorinë e Përgjithshme. Deklarimet e 22-vjeçarit para prokurorëve amerikanë, kyçe për hetimet mbi tragjedinë e Gërdecit dhe trafikun e armëve

Në Prokurorinë e Përgjithshme ka mbërritur dëshmia e Efraim Diverolit, i cili është pyetur nga autoritetet amerikane për llogari të drejtësisë shqiptare. Kjo dëshmi ka mbërritur një muaj më parë në Ministrinë e Drejtësisë dhe pasi i është nënshtruar përkthimit, tashmë gjendet në duart e akuzës. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilat shprehen se kjo letër-porosi pritet t’iu bashkëngjitet fashikujve hetimorë të përgatitur deri tani nga grupi hetimor që po heton tragjedinë e Gërdecit, si dhe tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit dhe aferat e 22-vjeçarit Diveroli me komponentë të ushtrisë shqiptare. Nga organi qendror i akuzës nuk jepet asnjë detaj lidhur me dëshminë e 22-vjeçarit, e cila hedh dritë mbi trafikun e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit, si dhe personat që janë implikuar në këtë trafik. Vetë Diveroli ka mohuar të ketë pasur dijeni mbi origjinën e fishekëve, deklarim i bërë përmes avokatit të tij. Madje, ka akuzuar palën shqiptare për mashtrim, duke i shitur fishekë kinezë mjaft të vjetër për të furnizuar ushtrinë amerikane në Afganistan. Diveroli ka shkuar më tej me akuzat e tij, duke akuzuar publikisht Ministrinë e Mbrojtjes së vendit tonë dhe kompaninë e tregtisë së armëve MEICO, të drejtuar nga i pandehuri Ylli Pinari, për përfshirje në afera të paligjshme në tregtinë e municioneve. Gjithsesi, ende nuk dihet nëse ai në dëshminë e dhënë për autoritetet amerikane për llogari të drejtësisë shqiptare i ka zyrtarizuar akuzat e mediave. Dëshmia e tij vjen gjashtë javë para mbushjes së një viti nga tragjedia e madhe e Gërdecit. Tashmë, prokurorët shqiptarë kanë në dorë dëshminë kyç të partnerit amerikan të kompanisë shtetërore MEICO dhe kompanisë private “Albademil”, drejtuesit e të cilave aktualisht janë në burg dhe akuzohen për vrasje masive. Prokurorët kanë nisur po ashtu dy letërporosi përmes Ministrisë së Drejtësisë në Zvicër dhe Qipro, për të marrë dëshminë e Heinricht Thomeit, i njohur me pseudonimin “zot i luftës”. Letër-porosia dërguar autoriteteve qipriote është bërë me qëllim për të marrë informacion për firmën “Evdin lid”, dhe për të zbardhur transaksionet e saj bankare. Tashmë, me mbërritjen e letër-porosisë nga SHBA-ja, e cila përmban dëshminë e Efraim Diverolit, pritet që hetimet të plotësohen edhe me letër-porositë që pritet të vijnë nga Zvicra e Qipro. Dorëzimi i tre letër-porosive, pritet të sjellë ngritjen e një akuze të re për të pandehurit, atë të “trafikut të armëve”.

Tragjedia

Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar, ku si pasojë e shpërthimit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Prokuroria e Tiranës e cila nisi fillimisht hetimet e saj për këtë shpërthim, mori të pandehur drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinarin, administratorin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgjin, si dhe drejtorin teknik të punimeve në fabrikë, Dritan Minxhollin. Përfshirja në hetime edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, bëri që hetimet t’i kalojnë për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme. Tre të pandehurit, të cilët janë duke u hetuar me masë sigurie “arrest me burg”, akuzohen nga prokuroria për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, të më shumë se 2 personave dhe rrezikshmërinë e dhjetëra personave të tjerë, vepër penale e kryer në bashkëpunim”, si dhe akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Ndërsa për të pandehurin Pinari, prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›