E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e gazetarisë: Protestat vijojnë edhe javën e ardhshme



Prej gati 10 ditësh, studentët e gazetarisë kanë zhvilluar protesta në lidhje me përmbajtjen e diplomës së ciklit të parë të studimeve të Kartës së Bolonjës. Ndërsa po ditën e djeshme, ata janë shprehur se nëse MASH nuk i merr në konsideratë kërkesat e tyre, do të vijojnë protestën edhe javën e ardhshme. Studentët thanë se “ne kërkojmë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, me anë të së cilës të përfitojmë titullin në fushën për të cilën kemi studiuar”. Ata i bënë thirrje MASH, që të marrë parasysh kërkesat e parashtruara, në mënyrë që t’iu jepet fund protestave. Studentët e Universitetit të Tiranës pretendojnë se diploma që është vendosur nga Ministria e Arsimit në përfundimin e ciklit të parë të Kartës së Bolonjës nuk përmban titullin “gazetar” dhe formulimi i saj nuk është i saktë. Sipas tyre, Diploma e Nivelit të Parë nuk përmban titullin e studimit; emrin e fakultetit të Historisë dhe Filologjisë; nuk ka një formë të besueshme për tregun e punës; është përdorur një standard i dyfishtë për Kartën e Bolonjës, pasi brezi i studentëve që kanë studiuar në vitet 2004-2007 është pajisur me diplomë të rregullt, ku jepet dhe titulli i specialitetit. MASH deklaroi disa ditë më parë se diplomat universitare shqiptare do të mbajnë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së. Sipas ministrisë, diploma e studentëve është tërësisht e vlefshme për të gjetur punë në Shqipëri dhe në sajë të standardeve të Bolonjës, edhe jashtë saj me të njëjtën mënyrë e hapësira në treg, si edhe studentët që kanë diplomën pas tri vjet studimesh Bachelor në vendet e BE-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›