Rekomandimet e OSBE-së për konkurrencën e pandershme
Rekomandohet përgatitja e një akti ligjor të plotë, që trajton aspektet e së drejtës private të konkurrencës së pandershme, si dhe të zgjerohet fusha e zbatimit të dispozitave kundër praktikave agresive dhe keqorientuese të aktivitetit tregtar në raportet biznes-biznes dhe të mos kufizohet në raportet biznes-konsumator
Në projektin e përbashkët për përmirësimin e sistemit gjyqësor për çështjet tregtare, OSBE jep një sërë rekomandimesh për Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim përmirësimin në legjislacion për trajtimin e problematikave të ndryshme që hasen në seksionin e shqyrtimit të çështjeve tregtare. Në fushën tregtare sugjerohet që përmirësime të ketë në ligjin e konkurrencës së pandershme, ku rekomandohet përgatitja e një akti ligjor të plotë që të trajtojë aspektet e së drejtës private të konkurrencës së pandershme, si dhe të zgjerohet fusha e zbatimit të dispozitave kundër praktikave agresive dhe keqorientuese të aktivitetit tregtar në raportet biznes-biznes dhe të mos kufizohet në raportet biznes-konsumator. Përgjithësisht, sipas OSBE-së, parimet themelore të së drejtës kundër konkurrencës së pandershme janë të njëjta, pavarësisht nëse kjo konkurrencë ndodh ndërmjet një biznesi dhe një konsumatori (raporti biznes-konsumator) apo ndërmjet bizneseve (raporti biznes-biznes). Kësisoj, sipas OSBE-së, çdo kufizim i fushës së veprimit të rregullave kundër konkurrencës së pandershme vetëm në një raport është qenësisht problematik. Krahas kësaj, sipas sqarimeve që bëjnë ekspertët, ata argumentojnë se pse kjo bie ndesh me legjislacionin evropian. Sipas tyre, “Acquis Communautaire” ka dy dispozita me rëndësi të madhe.
Direktiva e parë
Direktiva 2006/114/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 12 dhjetor, në lidhje me publicitetin keqorientues dhe krahasues. Qëllimi i direktivës është mbrojtja e tregtarëve kundrejt publicitetit keqorientues dhe në mënyrë të papërshtatshme krahasuese (Neni 1). Kjo për shkak se publiciteti ndikon në mirëqenien ekonomike të konsumatorëve dhe të tregtarëve. Për rrjedhojë, publiciteti keqorientues duhet të luftohet nëpërmjet mjeteve të përshtatshme dhe efikase (Neni 5). Publiciteti keqorientues është publiciteti që keqorienton ose mund të keqorientojë personat, të cilëve ai u drejtohet dhe që mund të ndikojë në sjelljen ekonomike të atyre personave ose mund të dëmtojë një konkurrues (Neni 2, b). Një përshkrim më i detajuar i publicitetit keqorientues është parashikuar: ajo mund t’u referohet karakteristikave të mallrave dhe shërbimeve, çmimit dhe mënyrës me të cilën ai llogaritet, ose natyrës, atributeve dhe të drejtave të personit që bën reklamën (Neni 3).
Direktiva e dytë
Direktiva 2005/29/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 11 maj 2005 në lidhje me praktikat e pandershme tregtare biznes-konsumator në tregun e brendshëm (Direktiva e Praktikave Tregtare të Pandershme). Objekti i zbatimit të kësaj direktive janë vetëm marrëdhëniet biznes-konsumator (Neni 3). Direktiva i ndalon praktikat tregtare të pandershme. Veçanërisht, praktikat keqorientuese dhe agresive çmohen të pandershme (Neni 5). Si praktikat keqorientuese ashtu edhe ato agresive përshkruhen më saktë në terma të përgjithshme (Nenet 6 e në vijim). Për më tepër, ka dy anekse që japin një listë me shembuj të të dyja praktikave keqorientuese dhe agresive.
Rregullat shqiptare
Në Aktin për Mbrojtjen e Konsumatorëve 2008 (LMK) janë transpozuar dispozitat materiale si të direktivës në lidhje me publicitetin keqorientues dhe krahasues, ashtu edhe të direktivës për praktikat e pandershme tregtare.
Megjithatë, direktiva për reklamën keqorientuese dhe krahasuese synon mbrojtjen e tregtarëve në radhë të parë (Neni 1), dhe nuk kufizohet në raportet biznes-konsumator. Qëllimi i saj është të mbrojë tregtarët kundër reklamës keqorientuese dhe krahasuese të papërshtatshme (Neni 1). Arsyeja është se publiciteti prek mbarëvajtjen ekonomike të konsumatorëve dhe tregtarëve (shih pikën 4). LMK është i zbatueshëm vetëm për marrëdhëniet ndërmjet konsumatorëve dhe bizneseve (Neni 2). Prandaj, transpozimi në LMK nuk i përmbush kërkesat e legjislacionit të BE-së, pasi objekti i direktivës nuk kufizohet në raportet biznes-konsumator.
Neni 635 i KC-së i afrohet “Acquis Communautaire” sipas parashikimit të Nenit 3 të direktivës në lidhje me publicitetin keqorientues dhe krahasues, megjithëse ende nuk është arritur përputhje e plotë, sepse ai kufizohet në rastet kur ky njoftim është shpallur ose është bërë publik. Termi “publicitet” ashtu siç përdoret në direktivë duhet të merret në kuptim më të gjerë.
Direktiva për Praktikat e Pandershme Tregtare kërkon masa vetëm për raportet biznes-konsumator. Pika 6 e direktivës ua lë shprehimisht në dorë shteteve anëtare rregullimin e raporteve ndërmjet tregtarëve. Për rrjedhojë, një transpozim në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk do të ishte në kundërshtim me të drejtën e Komunitetit Evropian. Gjithsesi, një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian, si Gjermania dhe Austria, nuk e kufizuan zbatimin e kësaj direktive në raportet biznes-konsumator, kur e transpozuan atë në të drejtën e tyre të brendshme. Arsyeja është që krijimi i dy ligjeve të ndryshëm për konkurrencën, një për raportet biznes-konsumator dhe një për raportet biznes-biznes, duhet të shmanget. Krahas kësaj, Kodi Civil shqiptar tashmë përmban dispozita për konkurrencën e pandershme në Nenet 638 dhe 639, ndonëse asnjëra prej këtyre dispozitave nuk mund të çmohet si transpozim i direktivave që trajtojnë konkurrencën e pandershme të përmendura më lart.
Rekomandime
Qëllimet e Direktivës për Praktikat e Pandershme Tregtare janë të vlefshme edhe për marrëdhëniet biznes-biznes. Për rrjedhojë, OSBE rekomandon implementimin e të dyja direktivave, me qëllim që të kenë si objekt si raportet biznes-konsumator, ashtu raportet biznes-biznes. Për këtë arsye dhe për shkak të fushës së veprimit të Direktivës për Publicitetin Keqorientues dhe Krahasues, transpozimi në LMK nuk është i mjaftueshëm. Një mundësi do të ishte që direktivat të transpozoheshin në Kodin Civil, ku nenet 637 e në vijim përmbajnë rregullat përkatëse. Megjithatë, rekomandojmë transpozimin e legjislacionit evropian për konkurrencën e pandershme në një akt juridik më vete, si një mënyrë më e përshtatshme për të arritur pajtueshmërinë e plotë. Ndonëse nuk kërkohet nga e drejta evropiane, është bërë mjaft e zakonshme që vendet evropiane ta kenë këtë “Ligj të Konkurrencës së Pandershme”; në shumë raste, ky ligj ka zëvendësuar ose ndryshuar rregullat ekzistuese të mëparshme. Shpesh u përfshinë dispozita që fillimisht synonin mbrojtjen e konsumatorit, por e drejta për të paditur këto praktika nuk kufizohej tek konsumatorët, por u garantohej edhe konkurruesve.
Përparësitë
Së pari, sipas OSBE-së, integrimi i të gjitha dispozitave përkatëse në një ligj të vetëm do të përmirësonte qartësimin e rregullimit dhe do të shpinte në njohjen më të mirë të rregullave nga përdoruesit. Kjo mund të sjellë ekzekutim më të mirë (madje edhe vetëekzekutim), sepse konkurruesit që ngrenë padi, kanë siguri ligjore më të madhe. Të paktën pas një farë kohe ky efekt do të bëhej i ndjeshëm dhe i dukshëm. Së dyti, sipas tyre, tani për tani nenet që merren me konkurrencën e pandershme, janë pjesë e kreut në lidhje me dëmet në Kodin Civil dhe, për rrjedhojë, parashikojnë shpërblim kryesisht për dëmin e pësuar. Megjithatë, masa më e efektshme për të ndaluar praktikat e pandershme tregtare është një pretendim për kufizimin e veprimit të paligjshëm; kjo përbën edhe bazën e masave paraprake. Kjo kërkesë përcaktohet veç në Nenet 637 dhe 639 të KC-së. Rregullimi i legjislacionit për konkurrencën e pandershme në një akt ligjor të veçantë do të linte të zbatueshme pjesë të përgjithshme të së drejtës së dëmeve të KC-së dhe në të njëjtën kohë do të mundësonte vendosjen në një akt të vetëm të dispozitave të posaçme për kërkesën për kufizim. Së treti, një ligj i veçantë për konkurrencën e pandershme do ta bënte më të lehtë përcaktimin e organizmave që vishen me kompetencën për të ndërmarrë veprime ligjore kundër shkeljeve të ligjit të konkurrencës. E njëjta gjë vlen edhe për dispozitat e posaçme procedurale. Së fundi, në të ardhmen ky akt i veçantë juridik mund të shërbejë si material bazë, sedes materiae, për rregullat e përafërta në fushën e konkurrencës së pandershme, pavarësisht nëse do të jenë të detyrueshme sipas legjislacionit evropian apo synojnë të përmbushin nevoja të veçanta të realitetit shqiptar.