E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeshtesin Ramen Dule-Ndoka Ndryshim ne kushtetute

Aleatet e forcës kryesore të opozitësVangjel Dule dhe Nard Ndoka  mbështesin nismën e Edi Ramës për të ndërhyrë në kushtetutë, duke  kërkuar që të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së presidentit. Sipas tyre duhet kthyer modeli i para 2008, që përcakonte shumicë të cilësuar në të gjitha raundet dhe nëse votimi në parlament dështonte vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Madje kreu demokristian i qendron idesë së tij  se në listen e emrave konsensual për postin e kreut të shtetit opozita duhet të përfshijë edhe Bamir Topin i zgjedhur në 2007 nga demokratët.

“Është shumë e rëndësishme që presidenti të jetë produkt i një konsensusi parlamentar, pra, që të ketë një forcë dhe një zgjedhje me 2/3 dhe kjo është rikthimi edhe i standardit kushtetues i cënuar. Përsa i takon kandidaturave që do të jenë, e shpresojmë dhe e besojmë një gjë të tillë që zoti Topi do të jetë kandidatura e afruar nga të gjithë dhe me një mbështetje maksimale edhe në kuvendin e Shqipërisë”-tha Nard Ndoka, kreu i PDK-së.

“Duhet të kuptojmë se ne nuk kemi problem emrash në vendin tonë. Ne kemi problem institucionesh”-tha Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së.

Sipas Nard Ndokës nëse maxhoranca i thotë jo paketës së ndryshimeve opozita duhet të vazhdojë aksionin politik brenda dhe jashtë parlamentit, ndërsa Vangjel Dule thotë se e majta dështoi me 8 maj, dhe tani është e nevojshme një përgatitje serioze për procesin e ardhshëm.

“Nëse nuk do të ketë një reflektim nga ana e kësaj maxhorance, aksioni opozitar do të vazhdojë sërish me protesta, demonstrata, me luftën parlamentare”-theksoi Ndoka.

“Sërish ndodhi ajo që duhet ta pohojmë, nuk ishte parashikuar prej nesh.  Dhe ky është një dështim. Zoti Berisha sërish na zuri në gjumë. Duhet dhe do të jemi më të vendosur. Ta çojmë vendin drejt zgjedhjeve të reja me vendosmërinë t’ia dalim me sukses”-theksoi Dule.

Në kuadër të të fitores së zgjedhjeve të ardhshme politike, kreu i opozitës ka shpallur kursin e ri politik, në të cilin bën pjesë  pjesmarrja aktive në parlament, një program ri dhe aleanca sa më të gjera.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›