“Mbështetje Shqipërisë në fushën e biznesit”

Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi
Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi u shpreh se do të vijojë mbështetja ndaj Shqipërisë në fushën e biznesit. “Pikërisht sepse ne na intereson perspektiva evropiane e Shqipërisë jemi të angazhuar ta mbështesim atë në rrugën e saj drejt Europës. Taksapaguesit evropiane kanë akorduar 470 milion euro në 5 vitet e fundit për të ndihmuar Shqipërinë në përmbushjen e sfidave të integrimit evropian”, vlerësoi ambasadori Sequi.
Ndërsa kryeministri Berisha ftoi Komisionin Europian që ndihmën financiare ta orientojë drejt fuqizimit të fermerit shqiptar. “Imagjinoni çfarë vështirësish kanë të konkurrojnë me fermerin që merr 3 euro në ditë për lopën. I kërkoj Komisionit Evropian që në ndihmat që akordon, një pjesë të ndihmave ta ketë për fermerët. 44 për qind e popullatës është rurale. Qeveria po përpiqet dhe kurrë ndonjëherë nuk është investuar më shumë, ato shkojnë 60-70 për qind sepse kanë qenë në stad mesjetar nga pikëpamja infrastrukturore. Do të vlerësonim shumë një mbështetje nga KE, ndonëse duhet të theksoj se eksportet e zarzavateve janë trefishuar dhe kanë cilësi e shije shumë të lartë”, nënvizoi Berisha.
Kryemsitri Berisha inkurajoi anëtarët e dhomave të tregtisë që të vënë ura komunikimi më investitorët europianë, pasi ata janë më të interesuar për këtë lloj marrëdhënieje për biznesin e tyre në Shqipëri, se për një marrëdhënie me qeverinë.
Ministrja Bregu dhe përfaqësues të tjerë të ekzekutivit bënë një ekspoze të asaj çfarë është arritur deri tani në kuadër të marrëveshjes së stabilizim-asociimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se çfarë pritet të përfitojë biznesi në të ardhmen.