E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbështetje Shqipërisë për statusin e vendit kandidat

07/02/2009  Ministri Lulëzim Basha me homologun portugez

Shqipëria ka marrë mbështetjen e Portugalisë për kërkesën e statusin të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë Louis Amado ka nënvizuar përkrahjen e vendit të tij për këtë hap politik të vendit tonë gjatë takimit që pati dje në Lisbonë me ministrin e Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha. Duke shprehur vlerësimin e tij për reformat e guximshme dhe ndryshimet pozitive në Shqipëri, Amado shprehur mbështetjen e plotë të Portugalisë për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm portugez shprehu mbështetjen e plotë për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Duke iu referuar përvojës së integrimit në BE të Portugalisë dhe vendeve të tjera, ai theksoi se procesi i integrimit evropian mbart vlera stabilizuese dhe nxitëse për vetë vendin si dhe për rajonin e Evropës Juglindore. Po kështu gjatë takimit u dha mbështetje e plotë për procesin e liberalizimit të vizave në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen”. Ministri Amado e informoi ministrin Basha se Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentin portugez ditën e djeshme gjithashtu mori në shqyrtim dhe miratoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili do t’i përcillet brenda një kohe shumë të shkurtër Parlamentit portugez për ratifikim në seancë plenare. Nga ana e tij ministri Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike dhe politike dhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Basha e informoi homologun portugez se qeveria shqiptare ka përfunduar procedurat për hapjen e ambasadës shqiptare në Lisbonë. Po kështu ai e informoi ministrin Amado mbi zhvillimet në raport me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave, duke kërkuar mbështetjen e Portugalisë për fazat e reja të marrëdhënieve BE–Shqipëri. Para vizitës në kryeqytetin portugez, Lisbonë, kryediplomati shqiptar ka marrë pjesë në takimin e Romës për reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB, organizuar nga ministri italian i Punëve të Jashtme Franko Fratini. Gjatë takimit Basha u shpreh se Shqipëria vazhdon të mbështesë reformën e Këshillit të Sigurimit, që do të çonte drejt një trupe më përfaqësuese të realiteteve të sotme globale, por jo më pak efektive dhe të aftë për të marrë vendime të vështira që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›