PD, gati për protesta kundër kryebashkiakut të Gjirokastrës
Ngjarja e Gjirokastrës u kthye në një kalë beteje për dy palët politike, ndërkohë që asnjëra nuk ka marrë përgjegjësi për atë që ndodhi. Demokratët kanë kërkuar largimin e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, duke e akuzuar atë për ngjarjen e dhimbshme, ndërsa dega lokale e PD në këtë qytet ka nisur përgatitjet për një protestë për largimin e tij. Duke folur në Kuvend për ngjarjen, deputeti i kësaj zone, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, tha se ndaj këtij projekti ka patur kundërshtime në mbledhjen e KRRT. “Nuk dua të bëj rolin e prokurorit, por dua të parashtroj fakte që unë dhe shumë të tjerë i kemi denoncuar disa herë në publik, fakte që janë lehtësisht të verifikueshme. Nuk është e paverifikueshme të shikohet që në mbledhjen e fundit të KRRT së Gjirokastrës me rastin e miratimit të lejes për atë pallat që u bë shkak i rrëzimit, ka pasur kundërshtime nga specialistë për sa i takon paaftësisë së strukturës gjeologjike për të mbajtur në këmbë një ndërtim të tillë”, - tha Ruli.
Sipas tij, “Gjirokastra, ndryshe nga shume qytete të tjera, ka studime gjeologjike dhe sizmike, por zor të thuash që zgjerimi urbanistik i qytetit i është përmbajtur këtyre studimeve”.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar hetim të plotë të kësaj ngjarjeje, por ka patur dhe nga ata që kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut të Gjirokastrës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se në këndvështrimin e tij personal, kryetari i bashkisë duhej të jepte dorëheqje. Ndërsa në qëndrimin e grupit parlamentar, kryetarja Leskaj kërkoi vënien para përgjegjësisë dhe ligjit të shkaktarëve të ngjarjes së rëndë. Duke ngushëlluar familjarët për viktimat dhe ngjarjen e rendë, Leskaj shprehu mbështetjen ndaj prokurorisë, prej së cilës kërkoi “që të gjenden shkaqet, pasi është shumë e rëndë dhe duhen nxjerrë përgjegjësitë”.
Gjithashtu, Leskaj kërkoi rishikim të kuadrit ligjor që lidhet me ndërtimet, me lejet etj.
“Duhet të evidentohen të gjitha mangësitë ligjore, që mund të lënë shkak për abuzivizëm, të rishikohet i gjithë legjislacioni për sektorin e ndërtimeve, që nga lejet, ndërtimet, legalizimet”, - tha Leskaj.
Ndërsa një deputet i mazhorancës, Edi Paloka, deklaroi se opozita duhej të kërkonte dorëheqjen e kryetarit socialist të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, për ngjarjen e rëndë.
“Nuk është momenti për cinizëm, por nuk mund të rri pa i kërkuar opozitës që t'i kërkojë dorëheqjen kryetarit socialist të Bashkisë së Gjirokastrës. Pres që dikush të hapë çështjen penale për kryebashkiakun”, - tha Paloka.
“Tragjedia ndodhi se një pallat u ndërtua mbi korrupsion dhe më pas u dha leje për ndërtimin e një pallati tjetër korrupsioni. Kjo është tragjedia e vërtetë që ka pikënisje korrupsionin”, - tha Paloka.
Berisha: Nuk do bëj si Rama, nuk do e përdor vdekjen për politikë
Kryeministri, Sali Berisha, duke folur dje para grupit parlamentar të PD, tha se ai nuk do vepronte si PS, e cila përdor vdekjen për politikë. “Me këtë rast, dua të theksoj se qëndrimi ynë nuk mund të jetë kurrë morali i zotit Rama. Ne, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk do të brohorasim ndonjëherë “Rroftë vdekja! Poshtë opozita!”. Ky nuk është morali ynë. Ne u shprehim ndjenjat e solidaritetit më të thellë qytetarëve të Gjirokastrës dhe i garantojmë ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre”, - tha Berisha. Megjithatë, duket se nuk është shkëputur nga politika në këtë rast Berisha. “Ne kemi decentralizuar Inspektoratin ndërtimor dhe kemi bërë shumë mirë. Por, kjo ngjarje jep mësimin se, nëse jepet një leje e paligjshme, që kërcënon jetë, kjo e drejtë “varroset” në policinë bashkiake. Njihen rastet kur policia ndërtimore dërgon fadromat te një objekt, si rasti ‘Kokona’. I thotë: “Zoti kryetar, duhen 5 ditë”. Dhe ai i tha: “O Llesh, unë të kam vënë aty për Llesh e jo për ligj”. Kështu që duhet të kemi parasysh edhe sjelljen e kryetarit ndaj vartësve”, - tha Berisha, i cili nuk foli aspak për përgjegjësinë e instancave që varen nga qeveria në parandalimin e këtij akti.
Berisha tha se duhet një studim tërësor gjeologjik i të gjithë zonave në ndërtim. “Është i domosdoshëm një studim tërësor gjeologjik i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër, por edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar, kur ti, si shtet, shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë e bën në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër. Zoti ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ministër i Ekonomisë, njëkohësisht edhe deputet i Gjirokastrës, me urgjencë do të ngrini një grup pune me gjeologë dhe ekspertë të fushave, në mënyrë që të shqyrtohet situata e asaj kodre, sepse aty ka edhe ndërtesa të tjera, ndërkohë që ne duhet të ndërhyjmë me urgjencë, ose ta evakuojmë, ashtu siç mund të na këshillojnë specialistët, ose ta blindojmë dhe çimentojmë atë. Gjithsesi, do të pritet mendimi i specialistëve. Propozimi dhe kërkesa e qytetarëve të Gjirokastrës ishte kjo: zoti kryeministër, kjo zonë ka rreziqe të shumta, prandaj ju lutem të krijoni një komision për verifikimin e kësaj situate. Ndaj ky komision duhet të krijohet menjëherë. Sikundër, Ministria e Brendshme duhet të sjellë të gjitha vendimet për të ndihmuar familjet e dëmtuara. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij akti shumë të rëndë të kapërcehen, sikundër, drejtësia, me vendosmëri, të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij”, - tha Berisha.
Presidenti Topi: Të zbardhet sa më shpejt ngjarja e rëndë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar dje mbështetje maksimale për banorët e mbijetuar, pas ngjarjes së rëndë në Gjirokastër, teksa i ka bërë thirrje drejtësisë për zbardhjen deri në fund të ngjarjes së rëndë. Deklarata e Topit është bërë dje në qytetin e Gjirokastrës, gjatë një takimi që ky i fundit ka pasur me banorët dhe më pas në një mbledhje në prefekturë. Presidenti Topi i ka bërë apel prokurorisë dhe gjykatës, e cila, sipas Topit, duhet të zbardhë, hetojë dhe gjykojë këtë çështje, në kohën më të shkurtër, me moral dhe profesionalizëm. “Në këto çaste të rënda dua t’i inkurajoj banorët për ruajtjen e qetësisë dhe të gjitha strukturat që të japin suportin moral dhe material. I bëj apel prokurorisë dhe gjykatës, që me këtë çështje të merren seriozisht, me moralin dhe profesionalizimin e duhur, duke i siguruar se do të kenë monitorim shumë të rreptë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, - deklaroi Topi, duke e cilësuar ngjarjen e Gjirokastrës si unikale në llojin e vet. Gjatë vizitës së tij, presidenti është takuar me banorët që i kanë shpëtuar tragjedisë dhe iu ka premtuar atyre mbështetje në këto ditë të vështira. Ndërsa gjatë një takimi të zhvilluar në prefekturën e Gjirokastrës ka ofruar mbështetje maksimale të të gjitha strukturave shtetërore në ndihmë të këtyre banorëve
Veliaj: Qeveria duhet ta ketë prioritet sigurinë e qytetarëve
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, vizitoi qytetin e Gjirokastrës pas ngjarjes së rëndë të shembjes së një pallati. “Këta njerëz kanë humbur jo vetëm jetën e të afërmve dhe kursimet e një jete të tërë, por çka është më e dhimbshme ata kanë humbur dhe kujtimet më të shtrenjta të jetës së tyre që ruanin në këto banesa. Sërish dua të theksoj se siguria e jetës duhet të jetë prioriteti absolut i qeverisjes së vendit përmbi çdo kauzë tjetër që nuk vë në vend të parë atë që duhet të jetë aseti më i rëndësishëm, më i çmuar dhe më i mbrojtur në vendin tonë, jeta e qytetarëve shqiptarë”, - tha Veliaj. Ai shtoi se G99 ka angazhuar një skuadër ekspertësh nga fusha të ndryshme dhe në fund të këtij muaji do të propozojë një paketë të plotë masash dhe propozimesh urgjente për të përmirësuar sigurinë e jetës në Shqipëri.