Mbeten në burg pa afat tre lushnjarët
19/04/2005 TIRANË – Megjithëse nuk kanë pranuar të kenë patur lidhje me viktimën e "Don Boskos", tre të pandehurit e ndaluar nga policia më 14 mars dhe më pas arrestuar më 16 mars, kanë mbetur në burg pa afat. Deri dje të pandehurit ishin në burg me afat 30-ditor, por provat treguan se ata nuk mund të lihen të lirë, pasi kanë patur dijeni për veprimtarinë dhe objektivin që do të hidhte në erë "kamikazi". Kërkesa për lënien në burg të tre të pandehurve u bë nga prokurori Besnik Muçi. Më pas ishte gjyqtarja Alkelina Gazidede, ajo që vendosi të mos ndryshojë asgjë. Janë betuar që numrin e telefonit që ndodhej në kartën e viktimës së "Don Boskos", të mos e tregojnë. Megjithëse janë përgjuar, nuk kanë përmendur emra, po kështu kanë bërë edhe në momentin e marrjes në pyetje. Kanë mbetur në burg pa afat dje tre të dyshuarit për lidhje me personin që hodhi veten në erë disa ditë më parë në lagjen "Don Bosko". Mario Hasani, Elvis Perthi dhe Ardian Llapushi, pas dhënies së vendimit nga gjyqtarja Alkelina Gazidede janë dërguar përsëri në dhomat e Komisariatit numër 3 Tiranë, në pritje të vazhdimit të hetimeve paraprake. Akuza ndaj tre të pandehurve është ajo e fshehjes së provave që ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës. Prokurori Besnik Muçi, pasi paraqiti të gjitha provat në gjykatë, kërkoi lënien e të pandehurve në burg pa afat. Sipas akuzës, tre të dyshuarit e njohin personin që hodhi veten në erë, madje, ata kanë biseduar me të dhe e dinë se çfarë qëllimi ka patur. Kjo gjë është verifikuar nga tabulatet telefonike. Muçi i paraqiti gjykatës prova, të cilat vërtetonin se tre të pandehurit para se të ndodhte ngjarja në lagjen "Don Bosko", kanë patur lidhje me "kamikazin". Kjo është vërtetuar nga kartat telefonike. Numrat e të pandehurve janë gjetur në kartën e personit të vrarë.