E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ushtria pastron mbeturinat inerte

19/04/2005  Aksion në Sarandë

SARANDE - Ditët e fundit, policia bashkiake në bashkëpunim me brigadën e xhenjos, pranë Ministrisë së Mbrojtjes kanë nisur një aksion të gjerë për largimin e mbetjeve të ngurta dhe atyre urbanë nga qyteti i Sarandës. Tre makina dhe tetë ushtarë të kësaj ministrie janë në Sarandë për të larguar mbetjet e shkaktuara nga ndërtimet dhe prishjet e objekteve të paligjshme gjatë këtyre 15 viteve të fundit.

Zv.shefi i policisë bashkiake në qytetin bregdetar, Remzi Bani, tha për gazetën “Metropol” se “në qytetin e Sarandës, sipas shifrave të bëra publike ditët e fundit, nga Drejtoria e Shërbimeve në Bashkinë e Sarandës, mendohet të jene më shumë 1500 metra kub mbetje të ngurta, të cilat janë pengesë kryesore në infrastukturën turistike”.

Deri tani, sipas tij, janë larguar nga nisma e më e fundit 30 për qind e kësaj sasie, që i ka zënë frymëmarrjen Sarandës, dhe po e kthen në një qytet kantier, larg një qyteti turistik. Lagjet më problematike, sipas të njëjtit burim, janë lagjja numër një dhe ajo numër tre, ku ka patur dhe shumë ndërtime këto vitet e fundit dhe mbetjet e ngurta janë në sasira të mëdha.

Aksioni i mësipërm mendohet të përfundoj brenda një periudhe 15-ditore. Të gjitha makinat që ngarkohen në qytet dërgohen të bëjnë shkarkimin e lëndëve të ngurta në vendin e quajtur Volloder, pas një vendimi të bashkisë për largimin e tyre në një vend jashtë qytetit. Shqetësim ngelet se ky aksion nuk është i pari i këtij lloji dhe mbetjet e ngurta nuk janë pastruar nga hapësirat e qytetit, me pretendimin se nevojitet një nismë e dytë për t’i larguar plotësisht ato.

Verën e vitit të kaluar, një brigadë e Ministrisë së Mbrojtjes erdhi në Sarandë dhe bëri një aksion të tillë, por largoi fare pak nga pjesa e madhe e mbeturinave të ngurta në qytet. U premtua për një aksion tjetër, por kjo nuk ndodhi. Le të shpresojmë se kjo është nisma e fundit në luftën e shtetit me ato që lënë mbrapa ndërtimet, shpeshherë të paligjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›