E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sektori shtetëror më shumë të punësuar se sektori privat

19/04/2005  Qarku i Fieri, numëron rreth 16 mijë të papunë punëkërkues

FIER - Jo pak, por vetëm në rrethin e Fierit numërohen zyrtarisht rreth 16 mijë të papunë, 6 mijë prej tyre janë femra. Kjo shifër është alarmante, por duket se klasifikimi i të papunëve është edhe më alarmant. Pakkush mbi moshën 45 vjeç ka një punë. Shteti duket se ka punësuar më tepër se kompanitë private.

Sipas statistikave të Zyrës Rajonale të Punësimit, 15246 të papunë janë regjistruar në rrethet Fier, Lushnjë, Mallakastër, nga të cilët 6933 janë gra. Ndër to, 3841 janë të moshës mbi 45 vjeç. Sondazhet e kësaj zyre nxjerrin përfundimin se institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore dhe private, preferojnë punëtorë të kualifikuar, të seksit mashkull, me moshë deri në 35 vjeç. Profesionet më të kërkuar janë mekanik, teknolog ushqimor, mekanik për makina qepëse, elektricist etj.

Në Qarkun e Fierit zhvillojnë veprimtarinë e tyre 199 subjekte shtetërorë, ku janë punësuar 18670 vetë. Pjesa më e madhe e tyre u takon tre kompanive të naftës. Por, në dy vitet e fundit 322 vetë kanë humbur vendin e punës. Ndërkohë 5134 subjekte ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin privat dhe ato kanë raportuar se kanë punësuar 10522 vetë.

Duket se për burrat dhe gratë mbi 45 vjeç dhe njerëzit me aftësi të kufizuar do të mund të fitojnë një profesion për t’iu rikthyer tregut të punës.

Këtë qëllim do të përmbush një qendër publike e formimit profesional, që është duke u ndërtuar në qytetin e Fierit. Sipas drejtorit të Zyrës Rajonale të Punësimit, Sokrat Ikonomi, në Fier funksionojnë disa qendra të formimit profesional, më e spikatura është "Murialdo", të cilët pranojnë punëkërkues me moshë jo më të madhe se 25 vjeç. Kështu që i takon shtetit të mendojë si të integrojë pjesën tjetër, që nuk ka asnjë shans për t’u punësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›