E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pllaja e Novaj, policia izolon fshatarët

19/04/2005  Banorët e tri fshatrave nuk lejohen të lëvizin me automjetet e tyre

SKRAPAR - Për dy ditë rresht, një furgon i policisë me grupin e gatshëm të qytetit të Poliçanit, kanë bllokuar rrugën dhe vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar atë. Në rrugën që shkon për në tri fshatrat Nishovë, Novaj e Bregullas nuk lejohen të kalojnë mjetet e rënda me ngarkesë mbi 5 tonë. E gjitha kjo vetëm për arsye se mundet që këto makina të tregtojnë pllaka guri, që përdoren për veshje dekorative.

Nisur nga ky bllokim i paligjshëm, mbi 100 burra të këtyre fshatrave, paraditen e djeshme kanë protestuar, duke u grumbulluar me mbi 35 makinat e tyre në rrugën që të çon në këtë zonë.

Te kthesa e rrugës në lagjen në Pronovik kanë parë se policia vazhdonte ta mbante rrugën të bllokuar, duke vendosur mjetet e tyre kryq. Madje, policia ditën e parë të bllokimit nuk ka lejuar që banorët e tre fshatrave të ngjiten lartë në shtëpitë e tyre me makinat vetura dhe furgonët të transportojnë pasagjerë, duke bërë që shumë nga banorët e këtyre ta kalojnë natën e ftohtë të prillit përjashta në makina dhe shumë pak prej tyre ta kalojnë në disa të afërm, në qytetin e Poliçanit.

Sipas protestuesve, që janë kryesisht banorë edhe të fshatrave Bogovë, Dobrush e Stror, kanë pohuar për gazetën “se pllaja e pllakave të gurit nuk ndikon mbi sipërfaqen e basenit të ujit, pasi vëndi ku shfrytëzohet për nxjerrjen e pllakës dekorative është mbi 1 deri në 1.5 km larg vëndburimit të ujit të Bogovës, nga ku furnizohen mbi 15 mijë banorë të qytetit të Beratit”.

Dje protestuesit i ka përkrahur edhe kryetari i komunës në Bogovë, Shkëlqim Dyrmishi, i cili tha për gazetën se është pro protestusve. Sipas tij, ata kanë të drejtë, pasi të 11 firmat i paguajnë detyrimet shtetit dhe është shteti ai që u ka dhënë lejen e shfrytëzimit të pllajës të gurit nga Ministria e Minierave. Ai tha, se pushteti qendror para se të bllokonte rrugën duhet që më parë të komunikonte me krerët e kësaj komune pasi të tri fshatrat gjenden në juridiksionin e kësaj komune.

Po dje, të 11 firmat, që kanë të punësuar mbi 1500 punëtorë nga shumë rrethe të Qarkut dhe të rretheve fqinjë, thanë për gazetën, se i kanë nisur një peticion instancave të larta të shtetit. Ato kërkojnë hapjen e rrugës dhe lejimin e vazhdimit të punës në këtë pllajë, që, sipas tyre, nuk ka lidhje më turbullimin e ujërave të burimit të Bogovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›