E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rasha kundër Ndreut, mbyllet shqyrtimi gjyqësor

19/04/2005  TIRANË – Përfundoi dje shqyrtimi gjyqësor kundër të pandehurit Pjerin Ndreu, akuzuar për kryerjen e veprës penale të përdorimit të thirrjeve telefonike me keqdashje. Seanca e fundit ka patur si objekt të saj pyetjen e disa shokëve të të pandehurit, të cilët kanë treguar se nuk kanë dëgjuar kurrë për Ndreun të ketë kërcënuar njeri me telefon. Më pas, gjyqtari Bledar Abdullai ka vendosur mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke i lënë kohë prokurorit të pregatisë konkluzionet përfundimtare. Akuzohet për veprën penale të "përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. "Vendin e punës nuk e ke të përjetshëm. Këtë po ta them si shok". Kjo është përmbajtja e mesazhit të dërguar në drejtim të telefonit celular të shefit të SHKB-së, Sami Rasha. Pjerin Ndreu ishte i pranishëm dje në seancë gjyqësore e në krah mbante avokatin Sajmir Visha. Megjithëse pas ndalimit e më pas arrestimit nga policia, Ndreu u la i lirë, vepra penale për të cilën u akuzua nuk iu pushua. Kjo vepër parashikohet nga neni 275 i Kodit Penal. Pjerin Ndreu akuzohet se me dashje ka dërguar në numrin e celularit të shefit të Shërbimit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik, Sami Rasha, një mesazh i konsideruar kërcënues. Vetë Ndreu nuk e ka mohuar faktin se i ka nisur një mesazh Rashës, por, gjithçka ka pohuar se e ka bërë për shkak të shoqërisë së vjetër që kishte me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›