Mbetësit e Maturës, nisin më 28 gusht regjistrimet
Maturantët që duan të marrin pjesë në provimet e vjeshtës duhet të kryejnë fillimisht procesin e regjistrimit, duke plotësuar përsëri Formumlarin A1 ose A1Z. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për provimet e vjeshtës, maturantët që kanë që rezultuar mbetës në një ose më shumë provime në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2011 dhe maturantët që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2010-2011 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 25 gusht dhe 27 gusht 2011, duhet të të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm, nga data 28 deri më 31 gusht 2011. Për këtë kategori maturantësh është i vlefshëm Formulari A1/A1Z, të plotësuara edhe në muajin mars 2011. Po ashtu, edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës dhe, për arsye të ndryshme, nuk kanë plotësuar Formularin A1Z, duhet ta plotësojnë këtë të fundit nga data 28 deri më 31 gusht 2011, në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm. Drejtori i shkollës do të të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e maturantëve/ kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011, në datën 30 gusht 2011. Më pas, drejtori i DAR/ZA-së do ta dërgojë këtë listë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve në datën 1 shtator 2011, së bashku me tabelën T për kandidatët që do të plotësojnë Formularin A1Z. Aktualisht ka nisur puna për përgatitjen e tezave të provimeve për maturantët mbetës, që do të ritestohen në lëndët që nuk kanë marrë gjatë sezonit të parë të provimeve të Maturës. Burime zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për hartimin e tezave të reja, që nuk do të jenë të njëjta me ato të provimeve të qershorit. Sipas specialistëve të AKP-së, tezat e provimeve me detyrim dhe zgjedhje që do të përdoren për testimin e maturantëve në shtator do të hartohen nga e para dhe në asnjë rast nuk do të përdoren ato që ishin në sezonin e parë të Maturës. Sakaq, edhe për sezonin e vjeshtës, pyetjet e testeve do të jenë të ndara në tre nivele vështirësie, duke filluar nga ato më të lehtat deri te ato më të vështirat për nxënësit më të mirë. Kështu, 40% e pyetjeve në teste do të jenë për maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit pak më të mirë në mësim se të dobëtit, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40% të pikëve (nëse është i mirë për nivelin ku bën pjesë), ata të nivelit të dytë 80%, dhe maturantët e nivelit të parë 100% të pikëve, pra vlerësim maksimal.
Pyetjet e testeve dhe vlerësimi
Edhe në sezonin e vjeshtës, testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 pyetje do të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë. Ndërsa për provimet me zgjedhje, testi për secilën nga lëndët do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 10 pikë, kurse 10 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në provimet e vjeshtës pritet të marrin pjesë rreth 6 mijë maturantë pjesa më e madhe e të cilëve kanë rezultuar mbetës gjatë sezonit të parë, por midis tyre ka edhe nga ata të rinj që për arsye të ndryshme nuk kanë marrë pjesë në provimet e Maturës, sikurse janë ata që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit. MASH i kërkon maturantëve të bëjnë kujdes dhe nëse marrin notë kaluese, ata do të kenë shansin të jenë në auditoret e universiteteve, duke aplikuar për një vend në auditorët e fakulteteve nëpërmjet Formularit A3.
Datat e provimeve në sesionin e dytë
Gjuha shqipe dhe Letërsia 9 shtator 2011
Matematika 13 shtator 2011
Provimet me zgjedhje 17 shtator 2011
Periudhat e hartimit të testeve
6 shtator-9 shtator, për Gjuhë shqipe dhe Letërsi
10 shtator-13 shtator 2011, për lëndën Matematikë
14 shtator-17 shtator 2011, për lëndët me zgjedhje