E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaktësitë, nesër afati i fundit për formularin

Korrigjimi i të dhënave do të bëhet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, ku do të konfirmohen edhe kontestimet për notat

Data 26 gusht do të jetë afati i fundit kohor, brenda të cilit maturantët duhet të kenë dorëzuar në shkollat përkatëse formularin e korrigjimit të pasaktësive. Deri më tani, nuk dihet ende shifra se sa maturantë kanë konstatuar gabime në të dhënat e tyre, përfshirë edhe kontestimet për notat, të publikuara nga Ministria e Arsimit në Librin e Transparencës, pasi pritet dorëzimi i formularëve nga drejtoritë dhe zyrat arsimore për në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, që do të bëjë edhe rregullimin e tyre. Sipas MASH-it, çdo maturant që vë re ndonjë pasaktësi në Librin e Transparencës, të publikuar edhe në shkolla, ku përveç ID-së evidentohen dhe të dhënat e tij personale (emër, atësi, mbiemër, datëlindje), duhet të plotësojë formularin e korrigjimit të pasaktësive, të cilin duhet ta dorëzojë në shkollë brenda datës 26 gusht 2011. Elementet vlerësues të Maturës Shtetërore për çdo maturant janë: nota mesatare e shkollës së mesme; nota e provimit të detyruar D1 (Letërsia); nota e provimit të detyruar D2 (Matematika); nota e provimit me zgjedhje Z1; nota e provimit me zgjedhje Z2. MASH shpjegon se ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm. Ndaj ky formular do t’u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e DAR/ZA-ve, këto të fundit i përcjellin në Drejtorinë e Pranimeve të Agjencisë Kombëtare të Pranimeve (AKP) dhe pas kësaj bëhen korrigjimet përkatëse në bazën e të dhënave. Ndërkaq, MASH thekson se të dhënat që kanë lidhje me notat, mesatarja, D1, D2, Z1, Z2 do të konsultohen nga ana e specialistëve të AKP me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i AKP. Pas dorëzimit të këtyre formularëve në AKP dhe daljes së rezultateve të konkurseve të pranimit, për degët me konkurs, do të bëhet edhe shpallja e rezultateve paraprake të fituesve të universiteteve, lista e të cilëve pritet të dalë në datën 11 shtator.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›