E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Hoxha", prokuroria: Avdyl Loshaj, prova kryesore

Avdyl Loshaj, i mbijetuar pas rrëmbimit të SHIK-ut, do të jetë prova kryesore që do të hedhë dritë mbi mënyrën e torturës me pasoja të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, 13 vjet më parë. Sipas burimeve nga akuza qendrore, Loshaj do të jetë një nga dëshmitarët e organit të akuzës në seancat gjyqësore ndaj katër ish-drejtuesve të SHIK-ut, me në kryer Arben Sefgjinin, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Hetues të çështjes thanë se Loshaj ka pohuar paraprakisht se është arrestuar në muajin tetor 1995 në Qytetin Studenti, afër godinës 24. Ai ka pohuar se kanë qenë tropojanë ata që kanë ushtruar tortura ndaj tij. "Ka qenë edhe një person grek. Çfarë ka bërë ai në trupin tim, vetëm kur të vijë dita ndonjëherë që të dal edhe unë para gjyqit mund ta faktoj..." - mësohet se ka deklaruar një nga të mbijetuarit e SHIK-ut. Ai ka dëshmuar se ka firmosur nën dhunën e agjentëve të Shërbimit Informativ disa deklarata të shkruara, të punuara nga ata. "Bëhej fjalë për atentate ndaj Zef Brozit, kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Prelë Martinit, kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjoja se ne kishim bërë atentatet. Thuhej se kisha bashkëpunuar me Remzi Hoxhën për atentatin e Gligorvit në Maqedoni", ka rrëfyer Loshaj, duke shtuar se vetëm gjatë torturave ka dëgjuar britmat e Remziut. "Këto britma unë i kam dëgjuar në një vend diku, ku ka qenë edhe një shërbëtore. Shërbëtorja fliste në një dialekt shkodran. Nuk e di se në ç‘vend kam qenë, pasi më vendosën në kokë një thes të zi gjatë udhëtimit që kam bërë", shton ai. Loshaj deklaron se u ka shpëtuar agjentëve pas hedhjes nga tre kate e gjysmë, për të shpëtuar nga torturat çnjerëzore që i bënin. "I kisha këmbët e lidhura. Më rrihnin me shkopinj gome. Aq sa s‘mundja të ndalja urinën. Dikur njëri prej tyre, ai greku, ai që fliste greqisht, i tha tjetrit ‘hiqma këtë qelbësirë prej këtu, dërgoje në WC. Në WC isha pa të mbathura dhe aty pashë një dritare të vogël. E mbylla derën dhe kam parë poshtë. Desha të hidhesha me kokë, për të vrarë veten. Nxora trupin jashtë dritares dhe më kapën nga bluza. Ajo u shqye dhe kam rënë në tokë me këmbë", dëshmonte Loshaj para grupit hetimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›