E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Buka e vdekjes" helmon më shumë se 60 veta

Helmohen në një drekë mortore përfundojnë në spital. Rreth 100 persona, të cilët po drekonin pas një ceremonie mortore në Fushë-Krujë kanë shfaqur shqetësime gjatë të ngrënit dhe pjesa më e madhe e tyre janë dërguar në spital. Ndërkohë lokali ku ishte shtruar dreka është bllokuar, ashtu si dhe ushqimi i servirur gjatë saj. U kishte vdekur një i afërm në Itali dhe kanë shkuar për të ndarë me familjarët më të afërm të të vdekurit dhimbjen dhe për t‘i ngushëlluar për humbjen e të dashurit të tyre, por janë helmuar rëndë. Të intoksikuarit kanë qenë duke drekuar në një hotel buzë superstradës kur janë ndier keq. Gjashtë prej tyre kanë shfaqur gjendje më të rëndë nga helmimi dhe janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një ndihmë mjekësore më të specializuar. Ndërkohë, rreth 60 të tjerë janë trajtuar në spitalin e Krujës. Rreth 70 për qind e të helmuarve janë të afërm të të vdekurit, me mbiemër Pema dhe me origjinë nga fshati Arameres i Fushë-Krujës. Situata ka qenë e rëndë. I vdekuri është harruar dhe të gjithë kanë nisur të shqetësohen për shëndetin e jetën e tyre që paraprakisht dyshohet nga grupi hetimor të jenë vënë në rrezik nga ushqimet e konsumuara gjatë "bukës së vdekjes". Në lokal kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë bllokuar lokalin, si dhe ushqimin e mbetur nga dreka, përfshirë dhe pijet që ofrohen në dreka të kësaj natyre. Kampionë nga ushqimet dhe pijet e servirura në drekën e vdekjes janë dërguar për t‘iu nënshtruar ekspertizës nga e cila do të dalin dhe shkaktarët e vërtetë të helmimit kolektiv në Fushë-Krujë. Paraprakisht është dyshuar te cilësia e mishit të gatuar për këtë rast. Megjithatë, burime nga policia lokale bënë të ditur se analizës kimike ushqimore do t‘u nënshtrohen të gjitha ushqimet që janë servirur në drekën e djeshme. Të njëjtat burime thanë se të gjithë të intoksikuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në pyetje janë marrë pronari i lokalit, Afrim Vathi dhe personeli i kuzhinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›