E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, frikë për gjakmarrje pas vrasjes së adoleshentit

Pas krimit, frika për gjakmarrje pushton familjen e adoleshentit vrasës në Durrës. Forca policie kanë qenë të pranishme në bllokun e pallateve të lagjes 16 të qytetit-port ku pasditen e vonë të së dielës ndodhi krimi i rëndë. Rreziku i një gjakmarrjeje të shpejtë është i pranishëm. Ndërsa viktima është përcjellë për në banesën e fundit, familja e fëmijës-vrasës është ngujuar në shtëpi dhe ndodhet nën mbrojtjen e policisë. Eltion Muça, familja e të cilit ka ardhur në Durrës nga Dibra, është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, pikërisht në 18-vjetorin e jetës kur i thoshte lamtumirë fëmijërisë për të hyrë në një fazë të re të jetës. Ishte maturant në shkollën e mesme të përgjithshme "Leonik Tomeu" në qytetin bregdetar. Bashkëmoshatarët flasin për një nxënës studioz dhe korrekt në marrëdhëniet me ta dhe të rriturit. Nuk ishte tip sherrxhi, por u përfshi në një konflikt qesharak fëmijëror, ndërsa po punonte. Eltion Muça nuk ka mundur të mbyllë studimet e mesme dhe të vazhdojë më tej për shkak të një thike që barbarisht iu ngul në kraharor duke i marrë jetën. Ndërsa ngjarja ka shkaktuar dhembje, lot dhe frikë për humbjen e 18-vjeçarit Muça, krimi nga një i mitur tmerron edhe më shumë. "Po rritet një brez me thika në brez", u shpreh me trishtim një mesoburrë, fqinj i familjeve të viktimës dhe autorit. Xh. H. lindur në Elbasan e banues në Durrës, ende pa mbushur 15 vjeç është shndërruar në vrasës. Ditën e djeshme ai është kapur dhe ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit. Mosha e vogël dhe krimi i madh kanë vënë në dilemë agjentët e antikrimit dhe hetuesin për trajtimin e tij. Ndërkaq, vrasja ka vënë në pozita frike dhe mbrojtjeje familjen e autorit adoleshent. Gjithçka ka nisur si një zënkë banale prej kryeneçësisë së vëllait të vogël të autorit për t‘u mbyllur me një thikë në kraharorin e Eltionit. Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit, thika kishte prekur organin më jetësor të 18-vjeçarit, zemrën e cila nuk i ka rezistuar dot goditjes së marrë. Eltion Muça vdiq rreth 45 minuta pas goditjes me armë të ftohtë. Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka mundur të rindërtojë rrethanat e krimit dhe të identifikojë autorin, i cili pas goditjes është larguar me shpejtësi i mbërthyer nga paniku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›