Ministria e Financave nis përfitimin nga pasuritë e Jasim Kadisë
Tiranë - Ministria e Financave lëshon me qira pasuritë e patundshme të Jasim Kadisë. Pas shumë vitesh sekuestro, qeveria shqiptare ka vendosur të marrë përfitime financiare nga pasuritë e sekuestruara për llogari të luftës kundër terrorizmit. Me urdhër të ministrit të Financave, në vitin 2005 u bë sekuestrimi i 22 apartamenteve, gjithsej 2030 metra katrorë te kullat binjake. Gjithçka nisi në vitin 2001, kur milioneri u akuzua për lidhjet e tij me Al Kaedan. Në vitin 2001 shteti është marrë me të dhe pronat e tij kur prokuroria sekuestroi investimet e tij te kullat e mëdha 15-katëshe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Jasim Kadia u cilësua si i dyshuar për financim terrorizmi dhe u shpall në listën e OKB-së. Nga hetimet rezultoi se ai investoi edhe në Shqipëri duke hapur jo vetëm llogari bankare, por duke u bërë pronar i shumë pasurive të paluajtshme. Me vendim të Këshillit të Ministrave pasuritë e tij u sekuestruan. Nëpërmjet avokatit, Kadia vazhdon proceset nëpër dyert e gjykatave për të rimarrë pasurinë e tij. Milioneri saudit që u bë i njohur në Shqipëri në vitin 2001, e cilësonte të padrejtë vendimin e Bodes dhe mohon të ketë lidhje me terrorizmin. Për këtë ai i është drejtuar Gjyqësorit shqiptar nëpërmjet avokates së tij. Urdhri i fundit i ministrit të Financave, Ridvan Bode, ka të bëjë pikërisht me kalimin e pasurive të Kadisë në administrim të shtetit, në mënyrë që përfitimet të derdheshin më pas në Degën e Thesarit.
Vetëm pak muaj më parë Bode urdhëroi që pasuria e milionerit saudit Jasim Kadi, që pretendohet se është siguruar me financime të organizatave terroriste, tashmë do të kalojnë si pasuri e shtetit shqiptar.
2 Dhjetor 2008