Mbetjet e rrezikshme, bashkia jep 5 ditë kohë për largimin
Bilisht, policia nis hetimet duke marrë dokumentet e hyrjeve të të gjitha kamionëve nga pika e Kapshticës
DEVOLL- Bashkia e Bilishtit ka lënë vetëm pesë ditë afat për tërheqjen e disa tonelatave me mbeturina të rrezikshme të ardhura nëpërmjet doganës së Kapshticës në këtë qytet. Kreu i kësaj bashkie, Valter Miza, ka bërë të ditur dje se policia bashkiake nga ana e saj ka kërkuar vetëm pesë ditë kohë për largimin e mbetjeve të rrezikshme prej plastmasi, ndërkohë që një përfaqësues i firmës që ka sjellë në Shqipëri këto mbetje me përmbajtje toksike pretendon për një leje nga Ministria e Mjedisit. Sipas kreut të bashkisë së qytetit të Bilishtit, nëse brenda pesë ditëve nuk do të tërhiqen tonelatat me plastmas të përdorura të shkarkuar gjatë natës në një nga lagjet e këtij qyteti, atëherë masat nga ana e kësaj njësie vendore do të jenë drastike. Ndërkaq edhe nga zyra mjedisore pranë këshillit të qarkut në Korçë mësohet se nuk është dhënë asnjë leje. Nga ana tjetër, çështja është ende nën hetimin e policisë lokale. Burimet e policisë pohuan se mbetjet prej disa ditësh janë hedhur gjatë orëve të natës në lagjen e vendosur pranë ish-SMT-së vetëm 20-30 metra larg zonës së banuar. Mbi 50 banorë ndihen të kërcënuar, ndaj kanë vendosur të protestojnë duke iu dërguar dhe peticione bashkisë së qytetit, por edhe disa ministrive deri tek kryeministri. Gjatë ditës së djeshme, policia e Devollit mësohet të ketë marrë në pyetje disa persona në lidhje me këtë skandal. Hetimi tashmë është përqendruar në Kapshticë, nga ku mendohet se ka hyrë materiali. Policia e Devollit ka kërkuar informacion të detajuar në pikën kufitare të Kapshticës, nga e cila ka marrë dhe një sërë dokumentesh që i shërbejnë hetimit. Sipas burimeve zyrtare të kësaj policie, maunet kanë qenë vetëm me targa grek dhe mbetjet me përmbajtje toksike vijnë nga Greqia në Shqipëri, por nuk dihet destinacioni se ku ato ngarkohen dhe se çfarë do të ndodhë më tej me to.