Zjarri shkrumbon Orikumin dhe Dukatin
Sipërfaqe të tëra me pemë por edhe shtëpi e fabrika janë prekur dje nga flakët e dy zjarreve që kanë nisur papritur
VLORË- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në orët e para ditës së djeshme në Orikum, në zonën e quajtur Kodra e Pjeshkores. Shumë shpejt zjarri ka përparuar në gjerësi dhe në gjatësi duke djegur dhjetëra hektarë tokë pyjore dhe bujqësore. Flakët e zjarrit kanë përfshirë dhe disa shtëpi të ndërtuara në faqe të kodrës. Situata është bërë tepër e vështirë disa minuta më pas për shkak të terrenit të thyer ku zjarrfikëset nuk mund të hynin. Në ndihmë të situatës kanë ndërhyrë dhe banorët rreth zonës dhe ushtarë të repartit ushtarak të Pashalimanit, të cilët janë përpjekur të fikin zjarrin me te gjitha mjetet e mundshme. Nuk kanë munguar zëra të banorëve të zonës se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ku mendohet se ai është vënë edhe prej pronarëve te tokave aty pranë të cilët janë në konflikte interesi ndërmjet njeri tjetrit.
***
Zjarri është ndihmuar së tepërmi nga era e fortë dhe e ngrohtë. Deri edhe shtëpi janë përfshirë nga flakët ku dy prej tyre janë djegur plotësisht ndërkohë që dëm te konsiderueshëm zjarri ka bërë dhe me djegien e një stani që përdorej nga banorët e fshatit, ndërkohe qe janë rrezikuar dhjetëra të tjerë. Të gjitha mjetet e zjarrfikëses janë vënë në veprim për të mbajtur nën kontroll flakët dhe shuar zjarrin, i cili është normalizuar në periferi të Orikumit dhe ka përparuar me shpejtësi marramendëse drejt qendrës së tij. Nuk ka njoftime për të lënduar nga zjarri dhe pse me përhapjen e flakëve, shqetësimi ka ardhur duke u rritur. Ndërkohë që dy vatra të tjera janë konfirmuar jo shumë larg kësaj zone, por ndërhyrja në kohë ka bërë që ato të shuhen pa u bërë problematike. Për orë të tëra flakët e zjarrit kanë qenë deri tragjike, teksa kanë mbetur në mes të katër rrugëve banorë që iu janë djegur shtëpitë.
***
Një tjetër situatë paraqitet në fushë Dukat ku ndihet era e djegur, por peizazhi është edhe më keq. E zeza e së djegurës ka veshur një sipërfaqe të konsiderueshme. Fusha të tëra, të mbjella me pemë janë përzhitur. Një fabrikë uji është djegur pothuajse tërësisht, ndërsa të pabanuara janë kthyer dy shtëpi, të cilat kanë pësuar dëmtim total nën djegien e plotë. I dëmtuar nga plagët është Qani Mëhilli, i cili teksa ka parë flakët është drejtuar pranë fabrikës dhe ka nxjerrë prej andej makinat me gaz, duke evituar një tragjedi edhe më të rëndë, nga shpërthimi i mundshëm i gazit brenda fabrikës së ujit. Zjarri ka përparuar shumë shpejt duke përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe. Flakët janë ndihmuar nga era e fortë dhe shumë shpejt vatra ka marrë përmasa shumë të mëdha. Askush nuk jep një sipërfaqe të saktë për dëmin. Por së bashku me zonën e Pjeshkores në Orikum janë sipërfaqe mbi 500 ha e djegur. Këtë herë banorët janë përfshirë tërësisht në shuarjen e flakëve, ndërsa mjetet zjarrfikës nuk kanë ndihmuar dot më tepër, për shkak të shpërndarjes në dy vatra të konsiderueshme zjarri. Të parët janë evakuuar fëmijët, të cilët janë hequr për shkak të situatës tepër të rëndë. Të dy vatrat e zjarrit janë vetëm disa kilometra larg nga njëra tjetra, ndërsa zjarri ka nisur te secila në mënyrë të pavarur.
Vatra pranë Llogorasë, një ditë më parë
Një zjarr i rënë në afërsi të parkut të Llogorasë ka vënë në rrezik zonën e mbrojtur, duke tentuar përsëritjen e situatës së një viti më parë për parkun kombëtar. Vatrat e zjarrit janë bërë të dukshme në faqen e malit të Cikës, dy mbrëmje më parë, ndërsa era që ka nisur në orët e mbrëmjes ka shtyrë flakët drejt parkut. Sipërfaqja e djegur është rritur, por afrimi i flakëve drejt parkut ka rritur alarmin. Punonjës të pyjores kanë zbarkuar në zonën pranë Llogorasë, si dhe në gatishmëri janë vënë zjarrfikës e punonjës të ushtrisë për çdo situatë të mundshme. Terreni i zonës nuk ka mundësuar afrimin e mjeteve drejt saj për të shuar flakët, apo ndërhyrje tjetër. Siç mësohet janë djegur në këtë zonë një sipërfaqe e konsiderueshme, përfshi edhe pemë, vatra të cilat kanë vijuar edhe orët e para të mëngjesit. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, i cili ka qenë rrezik serioz për zonën e Llogorasë. A. P
Arrestimet
Në pranga në orët e mbrëmjes janë vënë dy të moshuar.
VLORË- Për zjarrvënien në fushë Dukat është i akuzuar 72- vjeçari Qerim Çeloaliaj i cili është vënë në pranga në kushtet e flagrancës. I moshuari ka qenë duke djegur mbeturina, pasi synonte të pastronte arën e tij me grurë. Era ka ndihmuar përhapjen e flakëve të zjarrit dhe gjithçka shumë shpejt ka dalë jashtë kontrollit. Flaka është përhapur me shpejtësi shumë të madhe duke u shpërndarë në zonën e fshatit Fushë Dukat. Për zjarrin e zonës tek vendi i quajtur Pjeshkorja në Orikum, është arrestuar 71- vjeçari Gjikoka. Sipas policisë edhe ai ka kryer të njëjtën procedurë brenda zonës së arës së vet, ndërsa era e fortë ka bërë që zjarri të rrezikonte banesat që janë në këtë kodër. Një stan është djegur tërësisht brenda kësaj zone, dhe bashkë me të me dhjetëra rrënjë ullinj e pemë frutore. A. P
RRËFIMI
Në familjen e Feti Ferrunit, të cilit nuk i kanë mbetur më as rrobat e fëmijëve. Zjarri dogji çfarë gjeti përpara
“Si na u dogj shtëpia para syve”
VLORË- Në shtëpinë e 42- vjeçarit Feti Feruni, gjendja është dramatike. Darka ka mbledhur në oborr disa kushërinj të tij. Po kështu të afërm të tjerë vijnë si dhe fqinj. Shtëpia e tij njëkatëshe është djegur tërësisht. Në të katër dhomat gjen vetëm shkrumb, si dhe katër muret rrethuese të djegura. Ca plaçka të nxjerra përjashta, edhe ato të shkrumbuara, ndërsa e zonja e shtëpisë Alida, shkon sa andej këtej, pa ditur çfarë të bëjë. Një llambë e vendosur në ambientet e jashtme vetëm sa për të parë, pasi brenda është djegur gjithçka. Nuk ka asnjë pjesë të mbuluar nga shtëpia. Së bashku me shtëpitë e 42- vjeçarit, është djegur edhe shtëpia e vëllait të vet, emigrant në Greqi, si dhe e nënës, të gjitha shumë pranë njëra-tjetrës. “Ka 15 vjet në Greqi thotë ai për të vëllanë dhe gjithçka e kishte në këtë shtëpi. Ajo tani nuk ka as muret”. Kryefamiljari nuk i mban dot lotët. “Kam vetëm fëmijët, edhe ata tashmë shiko tregon ai, dy nga djemtë e tij 11-vjeçarë. Tani nuk kanë as kanotiere. Brenda në shtëpi kisha jo vetëm plaçkën tregon ai, por edhe lekët që sapo kisha marrë nga tregtia që merrem”,- thotë ai. 42-vjeçari tregon se kishte një plantacion me 1000 rrënjë pjeshkë së bashku me një stallë derrash, fryti i punës së të cilave tashmë është djegur tërësisht. Gruaja Alida tregon se ka qenë në gjumë në momentet e zjarrit dhe sa ka ndjerë ka dalë së bashku me katër djemtë e saj, më i vogli i të cilëve është dy vjeç. Nuk e morëm vesh si u ndodhëm në mes të zjarrit tregon ajo. Ishin çaste tmerri. Gjithçka mbaroi brenda 15 minutave, ku zjarri përfshiu çfarë gjeti përpara. Mirë që më shpëtuan fëmijët”, tregon ajo, dy prej të cilëve, më të vegjlit i ka çuar te të afërmit. Te familjarët ka dhimbje, ngrënë supet për tu strehuar, ndërkohë që nata e djeshme i ka mbërthyer aty te gërmadhat e shtëpive të mbetura. “Erdhën nga pushteti lokal, tregon 42- vjeçari, na thanë se do t’ju ndihmojmë sa kemi mundësi, por tani aktualisht jemi në mëshirë të fatit”. A. Peçi