Tmerr në Darzezë, flakët përpijnë tre shtëpi
Situatë alarmante në zonën e Fierit, evakuohen tre mijë banorë. Flakët përparojnë deri në plazh ku dhjetëra pushues janë larguar të tmerruar
FIER- Tmerr dhe panik në zonën e Darzezës në rrethin e Fierit teksa flakët e zjarrit kanë përpirë tre shtëpi dhe kanë detyruar autoritetet lokale të evakuojnë banorët e zonës. Burimet pohojnë se janë rreth tre mijë banorë dhe turistë të evakuuar nga zona që është ende nën kontrollin e plotë të flakëve. Flakët e zjarrit kanë përparuar deri në buzë të detit ku kanë dëmtuar disa lokale. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohuan dje për “Shekullin” se janë parë dhjetëra pushues që ndodheshin buzë detit, të largohen të tmerruar me vrap duke lënë pas edhe sendet personale. Deri në orët e vona të natës situata në Darëzezë të Fierit ka qenë kaotike duke vazhduar të përpijë pyjet me pisha të thata. Dyshimet e para janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, madje policia ka arrestuar një person.
Fshati
Zjarri në Fierka nisur rreth orës 14.30 dhe për pak minuta është kthyer në tmerrin e zonës. Fillimisht flakët janë parë në zonën e Semanit dhe më pas janë shtrirë edhe në Darzezë. Në këtë pikë zjarri është bërë shumë problematik. Flakët e para janë vënë re në një pyll afër këtij fshati por era e fortë ka bërë që brenda një kohe shumë të shkurtër i gjithë pylli të kthehet në një vatër gjigante ndërsa një re e zezë të mbulojë të gjithë fshatin. Dëshmitarë okularë pohuan se flakët kanë përpirë brenda pak sekondash dy shtëpitë e para të fshatit. Banorët janë larguar me nxitim ndërsa flakët kanë prekur edhe një shtëpi të tretë. Dhjetëra njerëz janë parë të vraponin për t’i shpëtuar të paktën asfiksimit. Në dy banesat e para flakët kanë shkrumbuar edhe kasollet e bagëtive duke bërë që këto të fundit të lëshoheshin nëpër rrugë duke u përpjekur t’i shpëtonin zjarrit. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se flakët kanë prekur edhe një repart ushtarak dhe nga ky vend janë dëgjuar të shpërthejnë municione të lehta.
Plazhi
Por flakët, të ndihmuara edhe nga era e fortë kanë përparuar drejt plazhit. Në këtë moment, në buzë të detit ndodheshin dhjetëra pushues, të cilët kanë rënë në panik. Disa lokale dhe hotele buzë detit janë prekur nga flakët, të cilat kanë djegur ambientet e jashtme si dhe sende të tjera që ishin për argëtimin e fëmijëve. Për fat të mirë, pronarët e lokaleve kanë arritur që të mbajnë zjarrin jashtë ambienteve të brendshme. Por flakët kanë bërë që plazhistët të tmerroheshin dhe të nisnin të vraponin në drejtim të detit, i cili në ato momente ishte streha e tyre e vetme. Ata janë larguar me aq shpejtësi sa në disa raste kanë lënë pas edhe sendet personale. Në fund të ditës nuk është raportuar asnjë i dëmtuar nga zjarri. Të gjithë banorët e zonës por edhe plazhistët janë evakuuar nga organet kompetente për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme.
Dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme
Teksa zjarri po përparonte me shpejtësi duke djegur rreth 30 ha pyll me pisha, aty kanë mbërritur zjarrfikëset, por as ato nuk kanë mundur që të bëjnë shumë përpara flakëve. Uji i lëshuar me vrull prej tyre arrinte që të shuante zjarrin për pak çaste por sërish shpërthenin flakët. Dhjetëra pisha e shkurre janë kthyer brenda pak minutash në prush të nxehtë duke krijuar një situatë më të vërtetë të rrezikshme dhe alarmante. Duke parë situatën, kanë ardhur në ndihme pesë zjarrfikëse nga Ballshi dhe nga Albpetroli. Në Seman situata është marrë në duart e zjarrfikëseve por edhe aty ka pasur dëme në pyllin me pisha. Një grup hetimor ka filluat të gërmoje për të gjetur shkaqet e vërteta të zjarrit dhe deri tani janë ngritur dy versione. I pari ka të bëjë me një pakujdesi ndërsa i dyti është se zjarri mund të jetë vënë nga banorët e zonës, të cilët kanë konflikte për disa hapësira toke.
Olli: Presim helikopterët grekë për të shuar flakët
Kreu i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka pohuar dje në mbrëmje se situata e zjarreve është përkeqësuar nga fakti që ato janë në një terren malor tepër të vështirë. Ai shpjegoi se gjatë pasdites së djeshme i është kërkuar ndihma palës greke për të vënë në dispozicion dy helikopterë për të shuar flakët. Mësohet se i gjithë brezi me pisha në zonën e Darzezës është shkrumbuar edhe pse zjarrfikësit po bëjnë të pamundurën. Sipas policisë, ende nuk është bërë i ditur shkaku i kësaj ngjarjeje, ndërkohë që Olli thotë se ka dyshime për vendosje të qëllimshme të zjarrit.
GJIROKASTËR
Zjarri i plehrave rrezikon banesat
GJIROKASTËR- Një zjarr tek grumbulli i mbeturinave për pak sa ka shkaktuar një tragjedi të konsiderueshme me pasoja në njerëz në zonën e Gjirokastrës. Në orët e mesditës së djeshme, një zjarr është konstatuar në fshatin Terihat rreth 10 km në jug të Gjirokastrës në afërsi të zonës së banuar në Komunën e Dropullit të Poshtëm. Me të marrë njoftimin, në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë të cilat janë ndihmuar në këtë aksion edhe nga popullata civile. Për gati dy orë, është luftuar për lokalizimin e flakëve të zjarrit të cilat përparuan në një zonë djerrë kullosore ku vuri nën vete 4 ha tokë. “E rëndësishme ishte evitimi i flakëve nga zona e banuar pasi ishte larg më pak se 30 metra. Zjarri është vendosur në një grumbull plehrash nga disa fëmijë”,- është shprehur njëri prej dëshmitarëve. Por persona të tjerë kanë pohuar se flaka është vënë nga një person i cili dëshironte të zhdukte mbeturinat me anë të zjarrit. E. B