Zhduken dosjet e pronave në Malësinë e Madhe
Dosjet e pronave duhet të ndodheshin në agjencinë përkatëse të qarkut të Shkodrës por nuk dihet se ku kanë shkuar. Ankohen ish- pronarët
SHKODËR- Pronat e banorëve të zonës së Malësisë së Madhe janë përfshirë nga një hije misteri që mund të përfundojë në një skandal tepër të rëndë. Dosjet e kthimit e kompensimit të pronave për këtë zonë të vendit janë zhdukur. Ato nuk ndodhen në agjencinë përkatëse të qarkut të Shkodrës, dhe nuk dihet se ku kanë shkuar. Ky problem është evidentuar nga vetë ish-pronarët, të cilëve u është kthyer prona nga komisioni vendor i kthimit dhe kompensimit të pronave që ka funksionuar në vitet 1995 – 2001.
***
Ish- pronarët kanë kërkuar të ushtrojnë të drejtat e tyre të ligjshme për pronat dhe në një moment ata kanë shkuar për të marrë kredi të ndryshme. Por teksa kanë kërkuar të lënë peng pasurinë e tyre, ata kanë zbuluar skandalin. Në hipotekë, sipas ligjit, atyre u kanë kërkuar dokumentacionin që duhet për të bërë regjistrimin e ri të pronës. Më kryesori ndër dokumentet ishte dosja e kthimittë kësaj prone nga komisioni përkatës. Në vitin 2001, me vendim të qeverisë, komisionet vendore të kthimit e kompensimit të pronave janë shkrirë dhe i gjithë dokumentacioni ka kaluar në qendrën e prefekturës, në agjencinë e kthimit e kompensimit të pronave, në këtë rast në Shkodër. Por personat e interesuar për ta tërhequr dosjen ose kopjen e saj të vërtetuar dhe për ta dërguar në hipotekën e Malësisë së Madhe, janë befasuar kur kanë mësuar se dosjet e tyre nuk gjenden. Sipas drejtorit të agjencisë së kthimit e kompensimit të pronave në Shkodër, Besnik Kastrati, vetëm ditët e fundit janë mbi 12 raste nga Malësia e Madhe, ku persona të interesuar kërkojnë për arsye hipotekimi, shitje apo lënie peng, dokumentacionin e pronës që atyre u është kthyer nga komisioni përkatës vendor deri në vitin 2001. Kjo pasi në këtë vit , gjithçka ka kaluar në arkivin e prefekturës dhe më pas në agjencinë përkatëse në nivel qarku.
***
Kastrati pohon se këta persona disponojnë vendimin e komisionit vendor të kthimit e kompensimit të pronave por dosja e tyre mungon. “Me procesverbal, në vitin 2001, me grumbullimin e dosjeve për tre rrethet e qarkut të Shkodrës në agjencinë e ngritur këtu në nivel qarku, nga rrethi i Malësisë së Madhe janë dorëzuar në Shkodër 165 dosje. Numri i personave të paraqitur në agjencinë tonë nga ky rreth është më i madh. Njerëz të ndryshëm janë paraqitur pranë agjencisë për të kryer proceduarat me vërtetimet përkatëse të viteve 1995-2001 por ka rezultuar se ata nuk i kanë dosjet këtu, ndaj ne nuk mund t’iu japim asnjë vërtetim. Këto dosje që mungojnë nuk dihet se ku kanë shkuar, ndërsa ne si agjenci disponojmë vetëm atë që kemi marrë në dorëzim në vitin 2001 me procesverbal”,- thotë Kastrati. Sipas tij, ky problem është i ndërlikuar dhe duhet që të jenë organet e drejtësisë ato që duhet të merren me zbardhjen e zhdukjes së dosjeve. Përveç këtij problemi, Kastrati shton se për rrethin e Malësisë së Madhe mungon harta e re e plan-vendosjes së pronave. Ish-pronarët që kanë vërtetimet në duar dhe ndodhen para faktit se mungojnë dosjet, shprehen të shqetësuar për këtë që ka ndodhur dhe për faktin se askush nuk iu jep zgjidhje.
DYSHIMI
Sipas ish- pronarëve, ka zëra se disa prej dosjeve mund të jenë djegur në arkivin e bashkisë së Koplikut, në periudhën e transferimit të tyre, por kreu i kësaj bashkie, Ramadan Lika, e përjashton këtë fakt duke pohuar se kjo bashki nuk ka pasur asnjëherë arkiv për ruajtjen e dokumenteve në nivel rrethi, ndërsa kalimi është bërë direkt në prefekturën e Shkodrës. Përveç problemit të mbivendosjes së pronave, i evidentuar prej kohësh në rrethin e Malësisë së Madhe, tani shfaqet dhe problemi i zhdukjes së dosjeve për ata ish-pronarë që kanë marrë vërtetime kthimi e kompensimi pronash në këtë rreth.