E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet e borxhit në euro të Qeverisë



Javën e ardhshme Qeveria synon që të emetojë një bono në euro nga bankat e nivelit të dytë në vend. Vlera e synuar është ajo e 25 milionë eurove. Kjo iniciativë e fundit e Financave vlerësohet nga këndvështrime të ndryshme. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Sybi Hida, në treg ka një likuiditet të bollshëm për të përballuar një hua në nivele të tilla. Madje Hida shton se kjo huamarrje e brendshme mund të shfaqë efekte pozitive, duke ndihmuar sektorin bankar të përdorë këto likuiditete, për shkak të rritjes së depozitave. Ndërsa deputeti socialist ,Arben Malaj thekson se Qeveria nuk duhet të jetë spontane me vendimet e saj që lidhen me instrumentet e financimit të borxhit publik. Sipas Malajt, Qeveria ka nevojë emergjente për valutë të huaj që të shlyejë detyrimet e kredisë së shtrenjtë që mori një vit më parë.çmendoni lidhur me borxhin e brendshëm që ka vendosur të marrë Qeveria?
Sybi Hida: Normalisht marrja e borxhit të brendshëm është një punë normale e Qeverisë. Dihet që buxheti funksionon me deficit, kur është miratuar ai i vitit 2010 apo dhe më parë. Kjo është një punë normale e Ministrisë së Financave, që të gjejë burimet e financimit. Siç e dini, disa nga burimet e financimit kanë qenë huamarrja e huaj, domethënë me donatorë ose organizata ndërkombëtare në tregun e kapitaleve në tregun e brendshëm. Siç e dini, eurobondi është shtyrë, atëherë Qeveria mund të marrë borxh në tregun e brendshëm, përderisa ka likuiditet. Me informacionin që unë kam, likuiditeti është i bollshëm dhe me atë borxh që kërkon të marrë Qeveria në euro, nuk mendoj se prish ekuilibrat e marrëdhënieve midis depozitave në euro, depozitave në lekë dhe kërkesës që kanë investitorët privatë për kredi.
Arben Malaj: Ka disa momente që ndihmojnë në një analizë më të plotë të kësaj situate huamarrje. E para, kemi dështimin në mosemetimin e eurobondit, për shkak jo sepse tregu nuk ka fonde por sepse kostoja e tyre është e rëndë për buxhetin e vendit tonë. E dyta, duket se Qeveria ka spontanitet në aplikimin e instrumenteve të financimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të borxhit publik. E treta, duket se Qeveria ka emergjencë për të paguar detyrimet në valutë të huaj, që ka për borxhin e saj publik dhe sidomos për kredinë me kushte të rënda, që mori në një vit elektoral.
çfarë efektesh mendoni se mund të sjellë kjo huamarrje?
Sybi Hida: Likuiditeti që është shtuar gjatë këtij viti përballë borxhit që do të marrë Qeveria, prej 25 milionë eurosh, mendoj se ka efekt të papërfillshëm madje ndihmon sektorin bankar që të përdorë këto likuiditete, që ka për shkak të rritjes së depozitave. Mendoj që efekti, sidomos në këtë moment që Qeveria merr borxh në euro, është momenti më i përshtatshëm pasi siç e dini edhe fluksi që ka Shqipëria nga turistët ndikon në rritjen e monedhës euro në qarkullim. Ndoshta mund të ishte në pikëpyetje nëse do të ishte marrë në janar ose shkurt, ku më shumë do kishte efekte psikologjike sesa ekonomike, ndërsa në këtë rast ky efekt psikologjik është zero sepse dihet që flukset në euro janë më të mëdha në këtë periudhë.
Arben Malaj: Ndoshta kjo huamarrje për nga tavanet vjetore të miratuara në Parlament është në rregull, por nga luhatjet gjatë vitit buxhetor ajo shpreh shqetësime në rritje për menaxhimin e borxhit publik. Kalimi nga një huamarrje e jashtme në një huamarrje të brendshme, në kushte kur kjo është e mundshme dhe më e lirë se huamarrja e jashtme, ka efekte pozitive në ekonomi, pasi edhe interesat i mbeten ekonomisë shqiptare. Kjo vetëm në rastet kur rritja e huamarrjes së Qeverisë, në lekë apo në valutë, nuk redukton/pakëson pjesën e ofertës monetare që i takon biznesit privat dhe nuk rrit koston e parasë në ekonomi. Por nëqoftëse kjo huamarrje sjell implikime në tregun valutor, nëqoftëse kjo huamarrje spontane dhe në emergjencë nuk krijon probleme indirekte në tregun ndërbankar, ajo duhet parë si një mundësi që duhet përdorur, si një strategji afatgjatë për të lidhur më mirë kursimet e brendshme me financimin e ekonomisë shqiptare, financimin e borxhit të Qeverisë dhe kreditimin e biznesit privat. Situata e krijuar nga dështimi i emetimit të eurobondit, dhe marrja me emergjencë e një huaje në tregun e brendshëm, është momenti më i mirë për Qeverinë për të kuptuar se kreditë me kushte të rënda, rritja e deficitit buxhetor, rritja e deficitit të llogarisë korrente, rritja e borxhit publik janë rrisqe në rritje për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Në këtë situatë zgjidhja më e mirë është që mospërputhjet në kohë midis të ardhurave dhe pagesave (CASHFLOë)të menaxhohen me më shumë kujdes, duke reduktuar këto diferenca, qoftë edhe të përkohshme, pasi ato mund të krijojnë situata paaftësisë, që ose zbuten me kredimarrje spontane dhe pa kushte nga Qeveria, por të imponuara nga tregu, i cili është i pamëshirshëm kur bëhet fjalë për normat e tij të fitimit, ose rëndojnë biznesin privat duke rritur mospagesat e buxhetit ndaj tyre. Zgjidhja më e mirë është reduktimi i shpenzimeve dhe mbajtja nën kontroll e trendeve përkeqësuese të deficitit dhe borxhit, aq më tepër kur financimi i tij bëhet ose i vështirë në kohë ose i rëndë për nga interesat me të cilën merret kjo huamarrje. Në këto situata, një vend të rëndësishëm merr Banka Qendrore, si në ruajtjen e niveleve të huamarrjes së brendshme dhe në pasojat mbi koston e parasë në ekonomi, që sjell rritja e deficiteve, rritja e borxheve dhe kredimarrja spontane dhe e shtrenjtë e Qeverisë.

Shehu: 25 milionë eurot që kërkohen nga bankat, pa rrezik për tregun
Huaja e brendshme që kërkon të marrë Qeveria konsiderohet si një punë normale e kësaj të fundit. Deputeti i Partisë Demokratike, Shefedin Shehu shprehet se Qeveria mund të marrë hua të brendshme, për aq kohë sa nuk mori eurobondin. "Kjo nuk prek likuiditetin në treg sepse nëse do të ishte kështu, do të thotë që tregu nuk ka likuiditet. Po të shikosh përmasat e likuiditetit dhe përmasat e huamarrjes, vlera që kërkohet si hua është shumë e ulët ndërsa niveli i likuiditetit është i lartë, pasi vetëm 60 për qind e depozitave jepen kredi në Shqipëri" thekson Shehu. Sipas tij, 25 milionë eurot që kërkon të marrë Qeveria për të financuar deficitin buxhetor, nuk paraqesin asnjë rrezik. "Kemi një indikator që është bërë publik tashmë që kreditë përbëjnë 60 për qind të depozitave, çka do të thotë që 40 për qind e tyre janë të lira në banka", thekson deputeti. Qeveria pritet që të shesë borxhin në tregun e brendshëm javën e ardhshme, pas gjysmë viti zvarritje me procedurat e emetimit të një eurobondi, i cili do të shënonte edhe daljen e parë në tregjet financiare ndërkombëtare. Gjithsesi kjo e fundit nuk ka deklaruar për asnjë moment se ka hequr dorë nga eurobondi 400 milionë euro, thjesht thekson se e ka shtyrë për më vonë kur tregjet të jenë qetësuar dhe interesat të jenë të leverdisshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›