Ligji “Antimafie”, në Kushtetuese
Erald Kapri
Ligji i shumëdebatuar "Antimafia" do të kalojë "provën e zjarrit" në Gjykatën Kushtetuese. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë ku kërkon pezullimin e zbatimit të këtij ligji me argumentin se ai ka probleme juridike dhe prek të drejtat e njeriut. Ligji "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" ose i njohur ndryshe si ligji "Antimafia", ka nisur zbatimin tashmë dhe është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Qëllimi i tij është goditja e krimit të organizuar, veçanërisht sekuestrimi i pasurive ndaj të gjithë atyre personave, që jetojnë në kushte të pajustifikuara jetese. Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, shprehet se ky ligj ka probleme me sigurinë e tij juridike. Nga ana tjetër, argumentohet se ligji ka fuqi prapavepruese. Gjykata Kushtetuese do të nisë ditën e hënë shqyrtimin e kësaj kërkese, ku do të vendosë nëse ajo do të pranohet ose do të rrëzohet. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon që ligji të pezullohet fillimisht, e më pas të amendohet në nenet përkatëse. Por ligji tashmë ka hyrë në fuqi prej disa muajsh, madje si rezultat i tij Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e mjaft aseteve të dyshuara se janë vënë në rrugë kriminale. Ky ligji është miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Kuvend, në një kohë kur opozita ishte kundër këtij projekti dhe nuk ndodhej në Parlament, për shkak të bojkotit për çështjen e kutive të votimit. Sipas dispozitave të parashikuara në ligj, kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht vlerës apo periudhës në të cilën është krijuar, duhet që të vërtetojë prejardhjen e saj. Në të kundërt, organet hetimore gëzojnë të drejtën, duke u bazuar mbi të dhëna paraprake të kërkojnë sekuestrimin e saj, si një formë për të prerë burimet financiare të krimit të organizuar. Megjithatë, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar vetëm në indicie dhe jo provë. Një dispozitë kjo, që është kundërshtuar nga komuniteti i avokatëve, të cilët e kanë konsideruar atë si një mundësi për abuzim dhe goditje të diferencuar.
Ministrja austriake mbështet "Antimafian"
Ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, u takua dje me Kryeministrin Sali Berisha, nga ku e cilësoi si të shkëlqyer ligjin për konfiskimin e aseteve nga aktivitetet kriminale. "Ajo e cilësoi të shkëlqyer ligjin për konfiskimin e aseteve nga aktivitetet kriminale, duke u shprehur se prerja e burimeve financiare është një nga aspektet thelbësore të luftës me eficencë kundër krimit", thuhet në njoftimin e Qeverisë për këtë takim. Më tej Kryeministri Berisha e ministrja austriake folën për zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Fekter dha mbështetjen e saj për këtë proces dhe u shpreh e bindur se vizat do të liberalizohen në vjeshtë për shqiptarët.
Ekspertët e KE-së, vëzhgim zbatimit të ligjit
Misioni i fundit i ekspertëve të Komisionit Europian mbi vëzhgimin e realizimit të kritereve për liberalizimin e vizave, përfshin edhe monitorimin e zbatimit të ligjit "Antimafia". Ky mision do të vijë në javën e parë të korrikut dhe do të shohë zbatimin e ligjit, për sa u përket kapaciteteve të strukturave shqiptare për konfiskimin e eseteve të fituara në rrugë kriminale. Ky ligj është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Bashkë me të ka pasur edhe njëherësh ligje të tjera si ai kundër diskriminimit. Komisioni Europian, në vijim të vëzhgimit të fundit për zbatimin e kritereve, do të hartojë raportin për liberalizmin e vizave që do t'ia dërgojë PE-së.