E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetjet urbane KQZ i hap rruge kerkeses per referendum

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur në unanimitet të pajisë me formularin “tip”, nismëtarët e thirrjes së një Referendumi Popullor, të cilët shprehen kundër ligjit të menaxhimit të mbetjeve, të miratuar rreth një muaj më parë në parlament.
Pas këtij hapi, grupi nismëtar ka të drejtën të nisë mbledhjen e 50 mijë firmave nga qytetarët, në mënyrë që të kalohet në hapat e tjerë për trajtimin e zhvillimit të këtij referendumi.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se në formularin “tip”, duhet të vendosen disa detaje, në mënyrë që të evitohet çdo parregullësi apo manipulim i mundshëm.
Ligji për menaxhimin e mbetjeve urbane, në thelb të tij ka mbrojtjet nga mbetjet toksike. I gjithë kuadri ligjor, që trajton mbetjet urbane, imponon qeverinë të përjashtojë me vendim të parlamentit të gjitha plehrat toksike. Po ashtu, ligji imponon qeverinë që mbetjet jotoksike të lejohen të importohen. Në ligjin në fjalë, garantohet një kontroll i rreptë i të gjithë mbetjeve që importohen. Miratimi i ligjit në seancën plenare të datës 3 nëntor, është hartuar duke u mbështetur në direktivat e Bashkimit Europian.
I gjithë kuadri ligjor, që është tashmë në fuqi, është vlerësuar edhe nga Komisioneri për Mbjedisin, në Komisionin Europian Janez Potoçnik. Madje, Bashkimi Europian, konsideron ligjin shqiptar për menaxhimin e mbetjeve si tepër strikt sa i takon importit të mbetjeve.
Pak kohë më parë, Komisioneri Potoçnik në një prononcim për “ABC News”, theksoi se Shqipëria, në momentin kur do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, do të duhet të zbusë kuadrin ligjor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›