Mbi 60 invalidë ngujohen në Bashkinë e Patosit për ndihmën ekonomike
Rreth 60 persona kanë vërshuar dje në ambientet e brendshme të bashkisë së Patosit duke kërkuar me ngulm ndihmën ekonomike. Invalidë në qytetin e Patosit janë futur me forcë në bashkinë e këtij qyteti pasi nuk kanë marrë ndihmën ekonomike. Ata paralajmërojnë se do të qëndrojnë aty në shenjë proteste edhe natën e ndërrimit të viteve pasi kanë 4 muaj që nuk paguhen. Situata e krijuar vjen si pasojë e mos çeljes së fondit për pagesat e tyre. Ndërsa
dështimet e njëpasnjëshme të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, kanë detyruar invalidët të ndërmarrin këtë hap. Ata i kishin mbajtur shpresat tek mbledhja e djeshme e këshillit Bashkiak, por edhe ajo dështoi. Në të merrnin pjesë vetëm përfaqësuesit e majtë, ndërsa të djathtët e kishin bojkotuar. Kjo i ka detyruar ata të hynë me forcë në bashki dhe të deklarojnë që nuk dalin prej andej nëse nuk marrin pagesat mujore. Kështu pasditen e djeshme salla e mbledhjeve në këtë bashki është tejmbushur nga banorët e qytetit të cilët përfaqësojnë 800 familje në nevojë dhe kërcënojnë se nuk do të largohen nëse nuk u shpërndahet ndihma ekonomike. Sipas tyre bashkia u ka vonuar shpërndarjen e ndihmës duke detyruar ata të turren drejt bashkisë dhe të mos largohen prej andej. Ndërkohë që zyrtarët e bashkisë së Patosit kanë reaguar duke u shprehur se qeveria ende nuk e ka akorduar fondin për familjen në nevojë ekonomike.