Mbi lëvizjen studentore dje dhe sot
Nga:FATOS LUBONJA
Me rastin e përvjetorit të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, është hapur një diskutim - më shumë nëpërmjet internetit, sesa në mediat elektronike e të shkruara, që ve në diskutim çështjen nëse lëvizja studentore lindi spontanisht, apo ishte një lëvizje e manipuluar, apo instrumentalizuar nga të tjerë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i Shinasi Ramës, një ndër protagonistët e asaj lëvizjeje, i cili zhvillonte idenë se lëvizja studentore u manipulua dhe u
stimulua nga regjimi i cili kishte dëshpërimisht nevojë për ndryshime (sipas gjithë të dhënave, pasi nuk mund të mbijetonte më ekonomikisht) e meqenëse nuk pati shumë sukses me intelektualët pseudo disidentë të takimit me Ramiz Alinë, të cilët ishin shumë të trembur, vuri në lëvizje studentët. Por artikulli nuk kishte ndonjë dokument apo dëshmi të re të zbuluar, ishte thjesht një opinion mbështetur në kujtimet e autorit, ashtu sikurse ishin të tilla edhe përgjigjet e atyre, që i mëshonin mitit tashmë të krijuar mbi atë lëvizje, si një nga momentet e lavdishme të rinisë studentore shqiptare.
Për historinë thuhet se nuk është shkencë ekzakte që shkruhet në mënyrë objektive, pasi gjithmonë në të ka një aspekt subjektiv; se atë e shkruajnë fitimtarët, e se po ta shkruanin luanët e jo gjahtarët e tyre, do të ishte ndryshe. E megjithatë, ekzistojnë disa të vërteta që nuk mund tâi mohojnë asesi historianët. Janë ato që mund të quhen të vërteta faktike, që provohen me dokumente apo me dëshmitarë ngjarjeje, të cilat sigurisht mund të kenë interpretimet e tyre, por që gjithsesi janë fakte. Ndërkaq ne, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk jemi në fazën e shkrimit të historisë lidhur me këtë epokë të afërt, (e jo vetëm) por në atë të memuaristikës, e cila është shumë më subjektive, shumë më e ngarkuar me emocionet e të sotmes, pasi ajo është pjesë e jetës së të sotmes, e manipulimeve, politizimeve, interesave të caktuara të individëve apo të grupeve të ndryshme, që e tregojnë apo mbajnë mend ndryshe të njëjtën ngjarje. Madje, që edhe i mbitheksojnë apo i fshehin disa fakte.
Personalisht kam qenë në burg ato kohë dhe nuk mund të them asgjë lidhur me atë, nëse dritat në konviktet e studentëve në atë dhjetor u fikën nga dikush në mënyrë që të fillonte instrumentalizimi (një pjesë thonë nga pushteti, por ka edhe që thonë nga të huajt) apo ndodhi që u fikën vetë për tâu bërë kësisoj pika që derdhi kupën e revoltimit të studentëve tanë. Pa dyshim i kam dëgjuar më pas të dy versionet dhe kam pikëpyetjet e mia. Mungesa e dëshmive të sinqerta të gjahtarëve të asaj kohe e vështirëson këtë punë. Kësisoj, sot për sot mund të them se mbetem në dyshim, por në rrekjen për tâu dhënë përgjigje këtyre pikëpyetjeve, gjykoj se është e arsyeshme të ngrihet edhe kjo pyetje: A mund ta kërkojmë të vërtetën e një ngjarjeje të së kaluarës, të cilën nuk e kemi jetuar, duke u nisur nga ajo që shohim të kenë bërë më pas protagonistët e saj; apo kjo mund të na çojë në përfundime të gabuara, pasi një akt i mëparshëm dhe një akt i mëvonshëm i një njeriu apo grupi njerëzish nuk mund të jenë shprehje e të njëjtit thelb, pasi edhe vetë ata mund të ndryshojnë? Për shembull: a mund të gjykojmë se çfarë kanë qenë e si janë motivuar komunistët gjatë luftës Nacionalçlirimtare, duke u nisur nga diktatura që ndërtuan më pas? Ose le të vijmë pak më pranë dilemave, që ngre një ngjarje si ajo e studentëve. Ne kemi një numër personazhesh nga ata që kanë inspiruar apo drejtuar lëvizjen studentore, të cilët janë debatuar mjaft lidhur me të kaluarën e tyre në periudhën komuniste. Ãshtë debatuar shumë p.sh. për Kadarenë - i cili thuhet se me ikjen e tij e përshpejtoi lëvizjen studentore në vitin â90 - nëse ka qenë apo jo kundërshtar i regjimit. Pyetja që po shtroj është: A mund të gjykojmë nga fakti se si është sjellur ky në këta njëzet vjet tranzicion në raport me të pushtetshmit e pas komunizmit, si Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta apo Edi Rama, për të thënë nëse ka qenë apo jo disident në kohën e Hoxhës, e për të nxjerrë natyrën e ikjes së tij në Francë? E njëjta pyetje mund të shtrohet për Sali Berishën. A mund të gjykojmë nga sjelljet e Sali Berishës në pushtetin paskomunist për atë nëse ky ka qenë komunist i moderuar liberal, siç deklaroi edhe disa ditë më parë, apo nga ata që në vitet â70 grisnin pantallonat e studentëve siç e akuzojnë të tjerë, për të kuptuar, kësisoj, edhe bashkimin e tij me studentët më 1990? Po Edi Ramën, a mund ta gjykomë nga sjelljet e tij të mëpasshme ndaj ish-kryeministrave, që e kanë pasur në vartësi për të thënë nëse ka qenë një njeri që i vardisej bllokut për tâu ngjitur lart, siç thonë disa, apo një rebel brenda familjes komuniste siç thonë të tjerë, që të kuptojmë më mirë edhe angazhimin e tij në atë kohë?
Duke e ekstrapoluar pyetjen nga individi tek grupi, ajo mund të shtrohet kështu: a mund të gjykojmë nëse lëvizja studentore ishte spontane apo e manipuluar, duke u nisur nga ajo që pamë të bëjnë më pas shumë nga protagonistët e saj, madje në këtë rast edhe duke parë sesi sillen studentët e sotëm?
Më duhet të them se ky refleksion nuk më lindi thjesht duke ndjekur debatet mbi lëvizjen studentore të â90-tës, por edhe duke parë studentët londinezë që i vunë flakën Londrës gjatë protestave të fundit kundër rritjes së kostos së studimit. Pyetja që më lindi duke parë ata që herë pas here i shoh të veprojnë kështu ishte: a mund të ndodhë që një traditë studentore e zjarrtë të shuhet pa lënë gjurmë, aq sa sot nuk i shkon ndërmend kujt se studentët tanë mund të bëhen protagonistë ndryshimi në këtë vendin tonë? Dhe kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje afërmendsh nuk mund të mos më çonte tek ideja se ajo lëvizje ka qenë e manipuluar nga të tjerë. Por deri në një farë pika ama, se po të ishte se studentët mund të manipulohen sa herë tâua dojë qejfi manipulatorëve, atëherë do të kishim edhe sot greva urie studentësh.
E vërteta pra është komplekse. Njerëzit në zgjedhjet e tyre mund të kryejnë akte të mira ose të këqija. Ata janë akti i tyre në momentin e dhënë, nuk është se kanë një thelb të tyrin të keq apo të mirë - thonë ekzistencialistët. E vërtetë. Por është po ashtu e vërtetë, se shpesh këto zgjedhje nuk janë të lira, por të kushtëzuara apo determinuara nga një ambient ku jetojmë, nga një kulturë me të cilën jemi rritur e formuar gjithashtu - do të kundërpërgjigjeshin strukturalistët.
E vërtetë edhe kjo. Nuk e mohojmë dot se shumë zgjedhje që bëjmë në jetë janë produkt i një presioni të opinionit, apo të kodeve morale me të cilët jemi edukuar. Tek e fundit, edhe historinë për këtë duam ta njohim, që të mund të kuptojmë më mirë këta kode e këtë kulturë, e cila na ka drejtuar e ndoshta vazhdon të na drejtojë për mirë a për keq.
Nuk po shtyhem më tej në filozofimin mbi këtë kundërthënie. Me dy fjalë, ashtu sikurse gjykoj sot me këtë mendjen time, që më thotë se e vërteta nuk është kurrë e thjeshtë dhe as e pastër (Oscar Wilde), e që pa dyshim, ka limitet e veta të njohjes, më rezulton se kundërthënia midis njeriut të lirë për të zgjedhur dhe njeriut të kushtëzuar nga ambienti e kultura kur zgjedh e vepron nuk zgjidhet, por jetohet ashtu sikurse edhe ajo midis njeriut si qenie individuale dhe njeriut si qenie sociale. Vetëm duke e jetuar, jo duke e zgjidhur këtë kontradiktë, mund të jemi më afër asaj që quhet liri, kurse, nëse tentojmë ta zgjidhim duke vendosur për njërën apo për tjetrën, mund ta humbasim lirinë tonë. Me fjalë të tjera, ajo çka mund të bëjmë sot mund të jetë rezultat i një personaliteti të formuar në një ambient dhe kulturë të dhënë, çka mund të quhet një thelb i krijuar i yni gjatë jetës, por mund të jetë edhe akt rebelimi ndaj këtij ambienti dhe asaj kulture, çka tregon se ky thelb nuk është i gjithëpushtetshëm dhe se ne dimë ta distancojmë veten tonë prej tij. E kjo aftësia për tâu distancuar nga pushteti i një kulture të dhënë në një kohë të dhënë, për ta parë atë me sy kritik, edhe për ta mohuar, bëhet edhe ajo kulturë që zhvillohet përditë, duke u ndarë me të tjerët e duke na e rritur gjithnjë e më shumë lirinë si individë  për ta ndryshuar atë vetë, nesër dmth., edhe botën.
E çfarë mund të themi për studentët tanë të djeshëm dhe të sotëm pas gjithë kësaj? Se kjo kulturë ne na ka munguar shumë e vazhdon të na mungojë. Sjelljet e mëvonshme të studentëve të dhjetorit â90 dhe ato të pasardhësve të tyre më bëjnë të mendoj më shumë, se ata kanë qenë të manipuluar me teknikat e kulturës së vjetër sipas së cilës rinia është levë e partisë, çka do të thotë se nuk kanë qenë të lirë e autonomë në zgjedhjen e tyre, në kuptimin që i dhashë më sipër lirisë. Fakti që edhe lëvizje të mëvonshme rinore si âMjaftiâ p.sh. u iniciuan nga të huaj dhe u instrumentalizuan nga partia e të rriturve, tregon për mbizotërimin e kësaj kulture të vjetër, që determinon veprimet e rinisë sonë. Që të kemi lëvizje studentore autonome, të painstrumentalizuar nga një autoritet superior, ne na duhen shembuj individësh apo grupe individësh, të jenë të aftë, që me vullnetin e tyre të lirë të sfidojnë kulturën e vjetër, e cila i kushtëzon të mbeten leva të partisë. E po ndodhi kjo, këta do të çelin nesër kapituj të rinj në kulturën tonë, që do tâua lenë trashëgim brezave më të rinj, në mënyrë që edhe shoqëria jonë të fillojë të shpresojë tek rinia.