Mbi 140 gra në Shqipëri humbin jetën nga kanceri i qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës po rrit frikshëm shifrat e vdekjeve në Shqipëri. Mbi 140 gra në Shqipëri humbasin jetën nga kanceri i qafës së mitrës dhe 25 raste të reja në 100 mijë gra identifikohen cdo vit. Këto shifra u bënë publike nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë konferencës së dytë kombëtare për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës. Ministri Vasili tha se përqindja më e madhe e vdekshmërisë nga kjo sëmundje vjen për faktin se gratë shqiptare
nuk janë të informuara për ta parandaluar atë në kohë. Ndërsa sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, qytetet me numrin më të madh të sëmundshmërisë janë Tropojë, Shkodra e Lezha, por gjeografia e përhapjes po zgjerohet nga viti në vit në mbarë vendin. Drejtori i ISHP, Alban Ylli gjatë konferencës pohoi se vihet re një mungesë e theksuar informacioni për sëmundjen e rëndë sidomos në zonat rurale. Sipas një grafiku që kemi hartuar vëmë re se rreth 80.6 për qind e grave në fshat nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për pap-testin, ekzaminimi që diagnostikon në kohë kancerin e qafës së mitrës, ndërsa në Tiranë, ky indicator negative kap shifrën e 47.9 për qindëshit. Mendojmë se në rrethe dhe kryesisht në fshat duhet të ndërhyjmë me metodat e parandalimit për të ulur vdekshmërinë e lartë që shënohet në këto zona, pohoi Ylli.Sipas tij, faktorët e riskut që shkaktojnë sëmundjen e rëndë të kancerit në qafën e mitrës, i dyti për nga numri i lartë i vdekjeve tek gratë, pas atij të gjirit, janë mungesa e kryerjes së pap-testit, pirja e duhanit, numri i madh i fëmijëve, përdorimi pa kriter i kontraceptivëve dhe dieta e varfër me mikronutriente. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar se Shqipëria ka numrin më të madh të vdekjeve në Evropën Juglindore. Ai ka kërkuar nga mjekët specialistë të depistojnë femrat në mbarë vendin për të pasur një situatë të qartë të sëmundshmërisë në vend. Sipas të dhënave tona, rreth 25 raste të reja diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës në vendin tonë, ndërkohë 140 femra vdesin çdo vit prej tij. Ndonëse kemi incident të ulët të vdekshmërisë në rajonin e Evropës Lindore, në krahasim me disa vende të rajonit si Serbia, Mali I Zi, Rumania apo Cekia, kemi vdekshmëri të lartë ndaj duhet të fokusohemi në parandalimin e sëmundshmërisë pasi ndryshe nga kancerët e tjera, kanceri në qafën e mitrës është totalisht i parandalueshëm nëse diagnostikohet në kohë, pohoi Vasili.
Last Updated on E Hene, 25 Janar 2010 21:34