E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 2 milionë myslimanë mblidhen sot në Arafat

Mbi dy milionë pelegrinë, të cilët kishin kaluar natën në Mina, 10 kilometra në veri-perëndim të Arafatit, populluan rrugën që të çojnë në këtë mal pas mesnatës, raporton “Al-Arabija”.

“Po i përgjigjem thirrjes tënde, Zot”, përsërisnin pa pushim pelegrinët njëzëri.

Shumë hipën në autobusë, ndërsa me qindra mijëra të tjerë u nisën në këmbë nga Mina, një fshat me tenda që merr jete vetëm gjatë pelegrinazhit pesë-ditor.  Të tjerë marrin  hekurudhën Mashair, të njohur gjithashtu si “Meka Metro”. Gjithçka bëhet për të shkuar në Malin e Arafatit dhe rrethinat e tij, ku Profeti Muhamed dha predikimet e tij të fundit.

Hekurudha e ndërtuar nga kinezët operon për herë të parë këtë vit me kapacitetin e saj të plotë prej 72 mijë personash në orë. Kjo hekurudhë lehtëson trafikun dhe eviton shtypjen e njerëzve nga turma, nga e cila qindra persona kanë humbur jetën vitet e fundit. Hekurudha dyshe bashkon tre qytetet e shenjta të Minas, Muzdalifahut dhe Malin e Arafatit – zona që përballen me fluks të madh pelegrinësh gjatë Haxhit.

Në perëndim të diellit, Jabal al-Rahma (pika më e lartë e Malit të Arafatit), ose Mali i Mëshirës siç njihet ndryshe, mbulohet i tëri nga pelegrinët e veshur me të bardhë, të cilët kalojnë orë të tëra atje duke bërë lutje dhe duke medituar./Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-11-05 12:50
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›