“Mbi 3 milionë votues, askush nuk voton dot 2 herë”

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Zëvendës Ministri i Brendshëm Ferdinand Poni publikoi para mediave të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Gjendjes Civile lidhur me ekstraktin e listës së zgjedhjeve, e cila tashmë është në përputhje me kriteret e vendosura nga ligji për zgjedhjet. Në këtë komunikim me mediat, Poni, - pas vlerësimit për punën e mirë të bërë me listat, qendrat e votimit, pastrimin e emrave të dubluar si dhe shtetasve mbi 100 vjeç, - u bëri thirrje edhe njëherë punonjësve të Gjendjes Civile në të gjithë vendit dhe të zgjedhurve lokalë që të përmbyllin procesin e përgatitjes dhe shpalljes së listave përfundimtare të zgjedhësve në çdo njësi vendore, brenda këtyre 24 orëve të fundit, duke i dorëzuar pranë KZAZ-ve.
Ndërkohë zëvendësministri i Brendshëm Poni theksoi se listat përfundimtare të zgjedhësve e janë gjeneruar pranë çdo njësie të qeverisjes vendore për printim. “Lista e zgjedhësve përfundimtare përmban 3,270,936 zgjedhës. -3,270,936 zgjedhës janë afishuar qartë pranë 5,506 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. Në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk ka asnjë qendër votimi, përveç atyre të lejuara me ligj, që të jenë jashtë kufijve numerikë”, theksoi ai.
I pyetur nga gazetarët rreth çështjes së zgjedhësve pa adresë të saktë banimi, z.Poni u shpreh se: “Nuk ka asgjë zgjedhës në Republikën e Shqipërisë pa adresë zgjedhore të identifikuar, - ky numër është zero! Ata shtetas që i quani me numrat 888 ose 999 e dinë shumë mirë se në cilën bashki a komunë do të votojnë dhe numrin e qendrës së votimit. Ajo që nuk dinë bashkitë apo komunat, në gjysmën e të cilave drejtojnë socialistët, është shtëpia ku këta qytetarë banojnë. Ndonjëherë shtëpia mund të jetë në Itali apo Amerikë apo vend tjetër, prandaj nuk ka se si të duket pjesa e adresës së banimit të shtetasit. Kjo vjen për shkak të detyrimit tonë sine qua non, që të jetë në listë çdo qytetar mbi 18 vjeç, pavarësisht nëse e dimë apo jo adresën e shtëpisë së tij. I pyetur rreth dublimeve të mbetura, Poni theksoi: Numri është fare i ulët dhe nuk paraqet problem. Nëse nuk kemi informacionin a është dublim apo është person tjetër, nuk mund të hiqen nga lista, por janë shumë pak si numër. Përveç kësaj, askush nuk mundet të votojë dy herë, sepse do të votojë me dokument identiteti, të cilin mund ta marrësh vetëm njëherë, dhe ai shënohet në mënyrë elektronike, dhe jo vetëm në regjistrat zgjedhorë.