E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Të merren masat që të mos dështojnë zgjedhjet

Nga TCH

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka deklaruar se hyrja e Shqipërisë në NATO është një arritje e madhe për vendin.

Duke folur në një interviste për emisionin “Top Story” në Top Channel, Withers ka theksuar se edhe vendet e tjera anëtare të Aleancës janë të kënaqura për një aleat si Shqipëria.

“Hyrja në NATO është një ditë e gëzueshme për shqiptarët, por edhe për ne. Është mirë për ne që kemi miq si Shqipëria. Hyrja në NATO do të sjellë atë lloj stabiliteti dhe shpresë për të ardhmen, që do të ishte diçka me përfitim për të gjithë partnerët”, - ka pohuar Withers.

Sipas tij, me hyrjen në NATO, në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit, është vendosur “guri i themelit” që garanton paqen.

“Përfitimi më i madh nga hyrja në NATO është paqja. Rajoni i Ballkanit ka qenë i prekur dhe i lënduar nga konflikte të vazhdueshme me NATO-n, një Aleancë që ndihmoi në vendosjen e gurit të themelit, garantohet vendosja e paqes”, - ka pohuar Withers.

Diplomati amerikan ka theksuar se përfitimet e Shqipërisë nga hyrja në Aleancë nuk do të jenë vetëm ushtarake dhe ka nënvizuar se edhe vendet e tjera anëtare nuk do të përfitojnë ushtarakisht nga Shqipëria.

“Do të isha i kujdesshëm që të mos vendosja shenja barazimi mes NATO-s dhe bazave ushtarake. Në shumicën e vendeve të NATO-s nuk ka baza ushtarake. Parësore është që përbërësi i sigurisë i NATO-s ka për qëllim që të ruajë paqen, jo ballafaqimin ushtarak. Ja pse NATO shkon përtej dimensionit ushtarak, është një Aleancë e demokracive, vlerave dhe interesave të përbashkëta për të ardhmen. Këto janë ato fusha, ku do të shohim përfitimet e NATO-s”, - ka theksuar Withers.

Ambasadori ka vlerësuar se hyrja e Shqipërisë në Aleancë ka ardhur, pasi vendi ka përmbushur kushtet e anëtarësimit dhe jo nga mbështetja e Amerikës.

“Hyrja e Shqipërisë në NATO nuk ishte si rrjedhojë e një teke të Amerikës dhe disa vendeve të BE. Hyrja e një vendi arrihet me miratimin e të gjitha vendeve anëtare”, - ka theksuar Withers.

Ai ka shtuar më tej se klasa politike, por edhe gjithë shoqëria shqiptare ka merita të veçanta në këtë drejtim.

“Ne kemi qenë mbështetës të mëdhenj të Shqipërisë dhe e kemi mbështetur në reforma. Ajo punë që është bërë, sakrificat që janë bërë në këtë vend nga gjithë shoqëria kanë qenë shumë të rëndësishme. Klasa politike ka merita”, - ka shtuar Withers.

Zgjedhjet

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka bërë apel që të merren të gjitha masat e domosdoshme që procesi i ardhshëm zgjedhor të mos dështojë.

Ai theksoi se pas futjes së Shqipërisë në NATO, përgjegjshmëria e klasës politike shqiptare duhet të jetë më e lartë.

“Duhet të merren të gjitha masat, për sa është koha që kjo gjë të mos ndodhë”, - është shprehur Withers në emisionin “Top Story” në Top Channel.

“Proceset zgjedhore në Shqipëri kanë qenë të diskutueshme dhe me probleme. Ndërsa Shqipëria rritet në skenën ndërkombëtare, i duhet të përmbushë detyrime të reja dhe një nga përgjegjësitë është mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente dhe të ndershme. Për këtë arsye këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërinë”, - shtoi diplomati amerikan.

Withers theksoi se të gjithë qytetarët duhet të pajisen me dokumente identifikimi dhe të gjithë duhet të kenë të drejtën e votës dhe të mos përjashtohen nga ky proces.

“Të gjithë duhet të votojnë dhe askush nuk duhet të lihet jashtë këtij procesi. Është shumë e rëndësishme që shtetasit pa pasaportë dhe kartë identiteti të jenë fokusi kryesor i këtyre zgjedhjeve dhe këta qytetarë duhet që patjetër të votojnë”, - tha Withers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›