E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet konfirmojnë: Kompania e Balliut, që ndërtoi Gërdecin është aktive

Nga Tema

Kompania “Trans Digging”, në pronësi të Fahri Balliut dhe Mihal Delijorgjit, është aktive dhe ka paguar dhe vazhdon të paguajë detyrimet ndaj organeve tatimore. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Kompania nuk është sekuestruar ende nga prokuroria, edhe pse për të ka prova se ka rrënuar disa objekte në repartin ushtarak të Gërdecit dhe më pas ka marrë pjesë në ndërtimin e punishtes që u mori jetën 26 personave. Të gjitha këto veprime janë bërë pa leje, por në dijeni të plotë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Të dhënat e siguruara nga tatimet tregojnë se kjo kompani ka tërhequr formularët për të bërë pagesat e detyrimeve tatimore. Ajo ka paguar tatim-fitimin, sigurimet shoqërore, tatimin mbi vlerën e shtuar etj.

Dokumentet tregojnë se kompania në pronësi të Delijorgjit dhe Balliut ka paguar nga viti 2006 e deri në vitin e tashëm tatim-fitimi në vlerën e 23 milionë lekëve, ka paguar tatim mbi të ardhurat personale në vlerën e mbi 3,3 milionë lekëve, ka paguar tatim mbi vlerën e shtuar mbi 64 milionë lekë etj. Dokumentet tregojnë se kompania ka pasur aktivitet, ka paguar taksa, ka kryer shitje dhe ka kryer blerje. Fakti që kompania ka pasur fitim, do të thotë që Balliu ka marrë edhe fitime si divident gjatë këtyre viteve.

E gjithë kjo bie në kundërshtim me deklaratat e bëra nga vetë bashkëpunëtori i Berishës, Balliu, se kompania ka vdekur ditën që lindi, duke nënkuptuar se ajo nuk ka bërë asnjë aktivitet.

“Ju bëj me dije se në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë nuk kemi asnjë lidhje me këtë firmë, e cila vdiq, sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë”, - deklaroi Balliu.

I pyetur se pse kompania është aktive, Balliu deklaroi: “Ata bëjnë punën e tyre. Se çfarë bëjnë ata, është tjetër çështje. Unë po flas për pjesën time, e cila është e vdekur. Nuk ka aktivitet. Kjo është lehtësisht e provueshme, sepse janë dokumentet e bankës. Por, pikërisht këto dokumente kanë frikë.”

Kjo deklaratë e Balliut u bë duke nënkuptuar se vajza e tij nuk ishte në pronësi të aksioneve të kompanisë “Trans Digging”. Në të vërtetë, ditën që u publikua skandali, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ekstrakti i të dhënave për të tregonte ndryshime. Emri i Henris Balliut, vajzës së botuesit të gazetës “55”, nuk ekzistonte. Aksionet e saj i kishin kaluar vëllait të Delijorgjit, Kristos. Por vetëm një javë më parë, Henris rezultonte si aksionere në firmë, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e Balliut.

Menjëherë pas këtyre ndryshimeve, gazeta “TemA” publikoi dhe të dhëna që faktonin se “Trans Digging” kishte marrë pjesë në ndërtimin e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec. Skandali nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga ana e autorëve, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ajo ka paditur ushtarakët që lejuan ndërtimet pa leje në Gërdec, por nuk tha se çfarë do të bëhet me ata që bënë ndërtimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›