Mbi 300 automjete të bllokuara në borë
Gra dhe fëmijë ndodheshin në vargun mbi 5 km të makinave të bllokuara, të nisura nga Peshkopia
Mes të bllokuarve rezultojnë të jenë edhe tre deputetë të PDK-së: Nard Ndoka, Ndue Shpani e Frrok Gjini
PESHKOPI - Njerëz të bllokuar që prej orës 12:00 të së premtes në mes të dëborës, që edhe në orët e vona të mbrëmjes vazhdonin të qëndronin në radhë, me shpresën se makinat e tyre nuk do të fikeshin deri në kohën kur të vinin "shpëtimtarët". Mbi 300 automjete, furgonë e makina të vogla nga zona e Peshkopisë mbetën të bllokuara në Qafën e Buallit, ndërsa shtresa e dëborës kishte arritur mbi 60 centimetra. Era e fortë, nisja e menjëhershme e reshjeve të borës ka bërë që zona të bllokohet menjëherë, ndërsa mes pasagjerëve të automjeteve kishte gra, fëmijë, por edhe të sëmurë. Mes të bllokuarve, edhe tre deputetë të parlamentit shqiptar e pikërisht Nard Ndoka, Ndue Shpani e Frrok Gjini.
Deri në orët e vona të pasdites bëhej e ditur se vetëm një fadromë po punonte për të pastruar rrugën, ndërsa më pas do t'i vinin në ndihmë edhe dy fadroma të tjera. Sipas kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, në këtë qytet po bëheshin gati hotele private, si dhe familjet në mënyrë që të mund të prisnin fëmijët që ndodheshin në radhët e të bllokuarve, kur të mund të arrihej deri në Qafë. Në mbrëmje situata vazhdonte të ishte e njëjtë, ndërsa traktorë me zinxhirë po punonin. Por, për shkak të erës, në disa vende bora arriti mbi 1 metra, e në disa të tjera edhe mbi 2 metër. Policë në vendngjarje u shprehën se automjetet e ngecura vazhdonin të qëndronin ndezur për shkak të të ftohtit. Por me kalimin e kohës, situata u bë edhe më e frikshme, pasi me mbarimin e karburantit, personat e bllokuar do të kishin probleme. Burime nga blutë u shprehën në mbrëmje vonë se ishin pesimistë se do të arrinin në kohë për të zhbllokuar të gjithë personat. Kështu, bora në automjetet më pranë Qafës së Buallit mësohet se nuk lejonte as hapjen e dyerve, çka ka shkaktuar panik tek pasagjerët që prisnin vetëm shpëtimin.
Problem deri në mbrëmje vonë ka qenë edhe Qafë-Ulza, që ndodhet në aksin Milot-Burrel. Aty kishin mbetur të bllokuara mbi 50 automjete. Një fuoristradë e policisë e vënë në dispozicion arriti që të lëvizte njerëzit e sëmurë. Ndërkohë, u mësua se lirimi i rrugës u bë nga krahu që të çon drejt Milotit. Burime nga vendngjarja u shprehën se forcat e emergjencës të mbërritur në vendngjarje nuk kanë çuar mjete të nxehta për personat e bllokuar mbi 7 orë dhe që prej një kohe të gjatë ishin të paushqyer, por edhe që kishin ngrirë për shkak të motit të egër. Probleme ka pasur edhe në aksin rrugor që lidh Mirditën me Lurën, ku dëbora kishte mbërritur mbi një metër.
Rënia e dëborës ka shkaktuar probleme edhe me energjinë elektrike. I gjithë qarku i Dibrës ka qenë pa energji elektrike që në orën 15:00. Shtabi i emergjencës i ngritur për shkak të situatës së krijuar sidomos në pjesën veriore të vendit, por edhe në atë juglindore, bëri të ditur se linja e tensionit të lartë Bulqizë-Peshkopi, ajo e Kurbneshit/Mirditë dhe e Librazhdit janë shkëputur për shkak të dëborës e stuhisë dhe furnizimi është ndërprerë. Më tej u deklarua se po punohej për riparimin dhe në mbrëmje shpresohej që të rivendosej linja e Librazhdit.
Pasagjerët ngecin në Qafë-Kërrabë
ELBASAN-Reshjet e papritura të dëborës që kanë vazhduar gjatë gjithë të premtes kanë krijuar mjaft vështirësi në lëvizjen e mjeteve sidomos nëpërmjet aksit rrugor të Qafë-Kërrabës. Mbi 50 automjete mbetën të bllokuara mbrëmjen e djeshme, ndërsa pasagjerët janë "strehuar" në lokalet e ndodhura aty rrotull ose kanë vazhduar të qëndrojnë në makina, duke pritur ndihma. Mjetet me zinxhirë hasën vështirësi dhe në mesditë rruga u vlerësua e pakalueshme. Një mjet i policisë rrugore dhe dy gazetarë të mediave qendrore mbetën gjithashtu të bllokuar në segmentin e Gracenit për disa orë. Situata vazhdoi të ishte e vështirë dhe në mesditë ky segment nuk u këshillua të qarkullohej as nëpërmjet zinxhirëve. Reshjet e dëborës kanë përfshirë të gjithë zonën e Elbasanit dhe vështirësi janë hasur në zonat malore, si: Gjinari, Labinot-Mal, Funar dhe disa fshatra në Gramsh. Në qarkun e Elbasanit janë regjistruar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike dhe me përmbytjet nga reshjet e shumta të shiut. Shtabi i emergjencave pranë Prefekturës Elbasan nuk njofton raste të dëmtimit të banorëve apo të shtëpive.
KUKËS - Moti i keq, shoqëruar me reshje dëbore e stuhi ka bllokuar disa fshatra të komunës së Shishtavecit, Grykë-Çajës, Kalisit e Arrnit, si dhe disa rrugë nacionale siç është rruga Kukës-Peshkopi, ku disa automjete që kanë qenë duke qarkulluar përgjatë këtij segmenti kanë mbetur të bllokuar në Draj-Reç të rrethit të Dibrës. Rushit Gashi, drejtor i Ndërmarrjes së rrugëve në Kukës thotë se në drejtim të këtyre automjeteve është nisur një mjet borëpastrues për të bërë të mundur zhbllokimin e tyre. Bëhet e ditur se në Qafë-Mali, ku lartësia mbi nivelin e detit është mbi 900 metër, trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 centimetër. Dëbora që ka filluar të bjerë mëngjesin e së premtes dhe ka vazhduar përgjatë gjithë ditës ka zënë në befasi shumë drejtues automjetesh, sidomos ato të tonazhit të rëndë, të cilët kanë mbetur të bllokuar përgjatë aksit rrugor Fushë-Arrës-Shemri-Kalimash, duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve të tjera. Ndërsa në mesditë është bllokuar edhe aksi rrugor Qafë-Mali-Fierzë, ku përgjatë këtij segmenti janë regjistruar edhe shembje të dheut dhe orteqe të përmasave të vogla. Dëbora që ka rënë gjatë gjithë ditës i ka gjetur të papërgatitur edhe fshatarët e disa zonave, të cilët rrezikohen nga mungesa e ushqimeve, sidomos për blegtorinë dhe shërbimin mjekësor. Kjo është dëbora e tretë e regjistruar gjatë këtij dimri në rrethin e Kukësit. Ndërkohë, bora ka shkaktuar probleme me linjën 110 kv Fushë-Arrës - Kukës, duke lënë pa energji zonën e Kukësit dhe të Hasit. B.Shala
Mbi 50 fshatra të bllokuar në Pogradec e Librazhd
LIBRAZHD - Ora 4:00 e mëngjesit të së premtes ka shënuar edhe nisjen e reshjeve të dëborës në rrethin e Librazhdit, ndërsa paraditja e ka gjetur zonën të mbuluar. Përgjatë mesditës trashësia e dëborës i ka kaluar 50 centimetrat, ndërsa temperaturat janë ulur edhe më shumë. Qarkullimi i mjeteve është vështirësuar tepër, ndërsa disa borëpastruese kanë punuar pa ndërprerje duke hedhur kripë e duke hapur rrugën. Problem kanë qenë maunet, sidomos ato me targa të huaja, të cilat kanë qenë të papërgatitura për situatën, duke mos u lejuar të kalojnë Qafë-Thanën. Mjaft fshatra janë bllokuar, ndërsa trashësia e dëborës i ka kaluar 80 centimetrat. Të bllokuar kanë qenë komuna Rrajcë, Stravaj, Polis, Stëblevë, Orenjë, Qukës. Është bllokuar edhe aksi rrugor Stëblevë-Dibër, si dhe fshatrat Sopot, Gaferr, Qarrishtë, Spathar, Qafë-Dardhë, Gurakuq, Rinas, Kostenjë etj. Në shumë fshatra gjithashtu nuk është zhvilluar mësimi për shkak të kohës së keqe. Po në këtë rreth ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike rreth orës 10:30 për shkak të një defekti të ardhur nga moti i keq. Në Pogradec janë bllokuar komuna Velçan me tetë fshatra, komuna Trabinjë me 12 fshatra, komuna Proptisht me tetë fshatra, komuna Hudenisht me katër fshatra. Zona e Mokrës është bllokuar tërësisht. A.B/B.B
Nisen për në Greqi, bllokohen nga bora 4 të rinj
KAPSHTICË- Bora ka izoluar klandestinët shqiptarë në Greqi, ndërsa në kufirin Shqipëri-Greqi është dhënë alarmi. Katër të rinj që mbetën në dëborë në kufirin grek, kanë lëshuar thirrje për ndihmë. Klandestinët nga kryeqyteti kanë kaluar ilegalisht kufirin e shtetit fqinj nga rrethi i Devollit duke shfrytëzuar si rrugë ikjen e tyre nga fshati Tren nëpërmjet liqenit të Prespës së Vogël dhe mandej kanë hyrë në Prespën greke për të mbetur në malin e Pisoderit. Mali, i cili është një nga majat më të larta të Greqisë Veriore, ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të Follorinës, ndërsa policia e këtij shteti ka nisur me urgjencë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të premtes një operacion shpëtimi. Sinjali për mbetjen në dëborë të katër të rinjve të moshës 16-20 vjeç ka ardhur nga familjarët e njërit prej tyre dhe konkretisht të Ajet Kuçit nga Tirana, që pas një komunikimi telefonik me të riun ka marrë alarmin se situata e tyre ishte e rrezikshme dhe ishin duke ngrirë në dëborë. Kështu drejtori i kufirit në policinë e juglindjes, Eduard Caka, ka njoftuar zyrtarisht policinë e Follorinës, e cila në mënyrë urgjente ka nisur dhe operacionin e shpëtimit. Sipas policisë së shtetit fqinj, rruga e klandestinëve është nga mali i Pisoderit dhe aty janë vendosur dhe kërkimet, ndërsa terreni i thyer malor dhe reshjet e mëdha të dëborës e vështirësojnë tepër gjetjen e tyre. Policia e shtetit fqinj ka lokalizuar vendndodhjen e të rinjve rreth orës 22:00, ndërsa ka marrë numrat e telefonave duke i lokalizuar ata. Nuk dihet se sa do të zgjasë gjetja e të rinjve të cilët kanë dhënë sinjalin SOS, ndërkohë që policia shqiptare nga ana e saj deri në orët e vona të mbrëmjes ka mbajtur kontakte homologët grekë pas një takimi të vonë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.