E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdornin sinjalistikën e Policisë së Shtetit, gjobë për 358 drejtues



Lëviznin në rrugët e kryeqytetit duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit e duke përfituar kështu favore nga ky mashtrim. Por me fillimin që prej tri javësh të aksionit nga ana e shërbimeve të Qarkullimit Rrugor Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, janë gjobitur 358 drejtues mjetesh, të cilët në kundërshtim me Kodin Rrugor qarkullonin me fenelina, xhama të riveshur apo tabela dore policie. Sipas burimeve zyrtare nga policia, 320 drejtues mjetesh janë gjobitur për mbajtje të fenelinave të policisë, 26 drejtues mjetesh për mbajtje të tabelave të policisë dhe 320 drejtues mjetesh janë gjobitur për mbajtje të mjetit me xhama të riveshur. Masat administrative të vendosura ndaj drejtuesve të mjeteve variojnë nga 2000 - 5000 lekë, deri në pezullim të lejes së drejtimit. Sipas burimeve nga policia, strukturat e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, do të organizojnë kontrolle të vazhdueshme për ndjekjen dhe realizimin e detyrave të përcaktuara, duke ndëshkuar ato drejtues mjetesh në pronësi të qytetarëve apo administratës shtetërore, të cilët qarkullojnë në kundërshtim me legjislacionin rrugor, të pajisur me simbole të policisë si, sisteme të sinjalizimit pamor (fenelina dhe sirena zanore), duke i mbajtur në vende të dukshme tabela dore apo autorizime në kundërshtim me ligjin. Strukturat e policisë kanë ndërmarrë këtë aksion në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale.

Problematika

Për uniformat blu përbën problem lëvizja e mjeteve të cilat i kanë të errësuara xhamat. Kjo, pasi në të mund të qarkullojnë persona të cilët kërkohen nga ligji ose persona të tjerë, të cilët mund të përbëjnë rrezik për komunitetin. Kështu, me ligj është vendosur që xhamat e errët të mbajnë makinat e përdorura nga punonjësit e lartë të shtetit. Ndërkohë, një tjetër synim nga ana e policisë ishte gjetja e drejtuesve të mjeteve, të cilët vendosnin në vende të dukshme, fenelinat e policisë ose tabelat e dorës. Kjo, me qëllim për të përfituar gjatë lëvizjes së tyre në rrugët e kryeqytetit dhe për të mos iu nënshtruar kontrolleve policore. Por një gjë e tillë mund të shfrytëzohet edhe nga persona të tjerë, të cilët nën këtë status mund të kryejnë vepra të paligjshme, si të transportojnë drogë ose armë.

Precedenti

Rasti i fundit ishte në Gjirokastër, ku një person u vu në pranga, pasi në makinën e tij tip fuoristradë, kishte 16 televizorë kontrabandë nga Greqia. Ai iu paraqit punonjësve të policisë si oficer i Krimit Ekonomik nga Tirana dhe në koskot kishte vendosur një tabelë dore, me qëllim të “mashtronte” dhe të mos u nënshtrohej kontrolleve nga ana e uniformave blu. Nisur nga kjo, nga strukturat e policisë kërkohet respektimi dhe zbatimi i kërkesave të legjislacionit rrugor, për të mos mbajtur në përdorim, mjete me xhama të riveshura apo të errësuara. Në të kundërt të gjithë ata persona, që do të kapen duke kryer këto shkelje, do t’iu nënshtrohen masave administrative si gjoba nga 2000-5000 e deri në pezullim të lejes së drejtimit.

Gjobat

Sipas burimeve zyrtare për periudhën kohore 01 mars deri më 17 mars 2009, shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë kanë vendosur 12382 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve. Këto masa administrative janë vendosur kryesisht për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara; parakalim i gabuar; mos përdorim i kaskës mbrojtëse ; mos vendosje të rripit të sigurimit ; mos përdorim të dritave të automjetit si dhe mos zbatimit të sinjalistikës rrugore. Për këtë periudhe kohore, janë pezulluar 54 leje drejtimi për mos zbatim të legjislacionit rrugor, ndërsa janë bllokuar 46 automjeteve për mungesë dokumentacioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›