Mbi 800 të burgosur arratisen nga burgjet tuniziane

Mbi 800 të burgosur janë arratisur nga burgjet në Tunizi. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia shtetërore e lajmeve TAP e cila thekson se rreth 520 të burgosur në një burg të qytetit Kasserine arritën të arratisen pasi në njërin nga dy pavionet e burgut kishte shpërthyer zjarri.
Ndërkohë 300 të burgosur të tjerë u arratisën nga një burg në Gafsa. Gjatë kohës së arratisjes personeli i burgut ndodhej në grevë. Të dy burgjet ndodhen vetëm 150 kilometra larg njëri-tjetrit.
Gjatë trazirave pas përmbysjes nga pushteti të ish-presidentit Zine El Abidine Ben Ali nga burgjet tuniziane janë arratisur rreth 10 mijë të burgosur.