E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushërira e Edi Ramës përçan PS e Athinës, dy kryetarë pretendojnë postin



Vasiliki Siuti

Kështu ndodhi pak kohë më parë, kur iu desh të fliste me dy kryetarë, të cilët nga ana e tyre këmbëngulin se përfaqësojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë në Greqi. Drejtuesit e PS në Tiranë, të cilët "i hodhën zjarrit benzinë", duke njohur si drejtues të degës së Athinës, njëherë njërën palë dhe njëherë tjetrën, i kërkuan PASOK-ut të njohë drejtuesit e vjetër të kësaj dege, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, që do të bëhen në pranverë. Në 2006 u krijua në Greqi, dega e PSSH-së me kryetar Anastas Muratin. Pak kohë para zgjedhjeve të fundit, në zyrat e mediave, mbërriti me faks një deklaratë shtypi e "Partisë Socialiste të Shqipërisë, dega e Greqisë", që njoftonte mbështetjen e saj ndaj PASOK-ut. Deklaratën e firmoste Fatos Malaj, i cili i referohej "kryetares Eda Gjemi". Në këtë deklaratë për shtyp, poshtë titullit "Zyra e PSSH në Greqi", kishte dhe referimin "Zyra rajonale për zonat e Atikës, Evias dhe Korinthit", ku tregohej se kishte influencë e që përfaqësonte një aneks paralel.
Në zyrat e PASOK-ut në atë periudhë mbërrin një letër nga Tirana, përmes së cilës kërkohet të bashkëpunohet me grupin Malaj-Gjemi (kushërirë, siç thotë, e kryetarit Edi Rama). Madje i dhanë dhe zyra në rrugën Valteciu. Më 1 tetor, në fjalimin përmbyllës të fushatës elektorale të Jorgo Papandreut, bashkë me delegacionin e socialistëve shqiptarë që erdhi nga Tirana, ishin të pranishëm dhe të dy grupimet e degës së Athinës.
Pas zgjedhjeve filluan sërish mosmarrëveshjet se cili do të komunikojë me PASOK-un. Grupi Gjemi-Malaj kishin depozituar, që prej gushtit të kaluar, një propozim për riorganizimin e sektorit të emigrantëve në PASOK, në zyrën e Jorgo Papandreut, një lloj "think tank", siç e cilësuan. Në këtë propozim hidhet ideja e krijimit të një "Komiteti special të emigrantëve shqiptarë", i cili ndër të tjera do të marrë përsipër dhe "hartimin e dokumenteve politikë dhe propozimet që do të përbënin dhe bazën e politikave të PASOK-ut për emigrantët".
PASOK-u nuk ndërhyn
Propozimi përfundon me përcaktimin se parakushti bazë "për funksionimin aktual të Partisë Socialiste të Shqipërisë është fuqizimi ekonomik i saj, deri sa të ketë njerëzit e duhur për të koordinuar funksionin e partisë". Anastas Murati e cilëson grupin tjetër si "askush që nuk kanë fare lidhje me partinë", ndërsa ata përgjigjen si "anëtarë konservatorë dhe të dalë në kohë".
Pak kohë më parë, lidershipi i Partisë Socialiste nga Tirana përsëriti kërkesën, duke i kërkuar PASOK-ut të komunikojë me kryetarin e vjetër, deri në zgjedhjen e të riut.
Me një letër drejtuar gazetës "Elefterotipia të së dielës", zëdhënësi i Anastas Muratit, Shpëtim Zinxhiria, shprehet se "kryetari i degës dhe të gjithë organizimeve të tjera në Greqi është Anastas Murati, i zgjedhur dhe në forumet e ngjashme të PASOK-ut dhe i njohur tashmë si mbështetës dhe mik i zotit Jorgo Papandreu". Gjithashtu shpreh rolin e rëndësishëm që luajtën socialistët shqiptarë në Greqi, si në rizgjedhjen e Papandreut në krye të PASOK-ut në 2007, ashtu dhe për fitoret në zgjedhjet për eurodeputetë si dhe në zgjedhjet kombëtare. Sot Anastas Murati deklarohet "garanci" për procedurat zgjedhore dhe se nuk do të pretendojë rizgjedhjen e tij, ndërsa Eda Gjemi shprehet se "nuk ka ndërmend të aktivizohet sërish". Sa i takon Fatos Malajt, i cili është akuzuar më shumë, ai shprehet se i intereson tashmë vetëm aktivizimi i tij tek PASOK-u. "Ne nuk ndërhyjmë", u shpreh Polina Lampsa, përgjegjëse e marrëdhënieve me Jashtë në PASOK. "U gjendëm mes tyre, por nuk kemi asnjë dëshirë të përzihemi në çështjet e brendshme të partive të tjera", u shpreh ajo.
Gazeta "Elefteritipia"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›