Rama: Nëse nuk hapen kutitë, Qeveria largohet nga qytetari
"Politika ka mbetur te kutitë, sepse aty janë rrënjët e krizës". Kreu socialist Edi Rama gjatë një takimi me gratë socialiste me rastin e 8 Marsit, iu rikthye çështjes së kutive të votimit të 28 qershorit. "Ato kuti nuk janë sende për pronësinë mbi të cilat grinden dy palë, ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë prone, mbi ato sende dhe pala tjetër nuk i mban peng ato sepse i konsideron si një pronë që nuk mund t'ia jap opozitës", u shpreh Rama. Sipas tij, Qeveria ka detyrimin të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. "është e lidhur drejtpërdrejtë ajo që gjendet në ato kuti, me atë që sot jetojnë qytetarët dhe pa ndryshuar fatin e kutisë së votimit, nuk mund të ndryshojë cilësinë e qeverisjes, sepse nuk mund të rivendosim raportin e varësisë së qeverisë nga qytetari, përkundrazi, do të vazhdojmë të zhytemi në batakun e varësisë së qytetarit nga qeveria. Qytetari nuk varet nga Qeveria në demokraci, por varet nga ligji, dhe qeveria në funksion të Kushtetutës dhe të ligjit, bën çmos për të garantuar liri dhe mundësi të barabarta. E kur nuk arrin t'i garantojë ato aq sa duhet, largohet sepse në ato kuti qytetari hedh vendimin e tij", u shpreh Rama. Kryesocialisti tha dje para grave socialiste të kryeqytetit se nuk do të lejojnë që vendi të keqqeveriset. "Në rast se duam të kemi një vend të mirëqeverisur, duhet të bëjmë transparencën e atyre kutive, në mënyrë që më askush të mos guxojë, që vullnetin e zgjedhësit ta kthejë në një sundim të të zgjedhurit. është e vetmja mënyrë për t'u mirëqeverisur. Mënyra tjetër është vetëm një mënyrë për t'u sunduar. Ne jemi këtu në PS, sepse nuk pranojmë të sundohemi dhe sigurisht sepse jemi të gatshëm që ta mirëqeverisim këtë vend, ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër", u shpreh Rama.
8 marsi
Gjatë fjalimit të tij në takimin me gratë socialiste në ditën e "8 Marsit", kreu i opozitës e vuri theksin në situatën ekonomike të vendit, që siç tha Rama ndodhet në kulmin e një krize, që do të thotë një barrë e rëndë për gratë shqiptare. "Ky 8 Mars e gjen Shqipërinë në kulmin e një krize ekonomike që do të thotë një barrë e rëndë për gratë shqiptare. Janë nënat e çdo familje që përballen të parat me faturën e re të energjisë, janë ato që gatuajnë dhe kursejnë ndërkohë që familja i sheh në dritë të syrit kur tavolina është bosh" theksoi Rama. Duke folur për vendosmërinë e opozitës në kërkesat për transparencën e zgjedhjeve, kryesocialisti theksoi se rrënjët e krizës politike mbeten në kutitë e votimit, ku siç tha Rama mbahen peng ëndrrat dhe aspiratat e çdo qytetari që ka hedhur votën e tij më 28 qershor. Rama tha dje se po rishikon edhe në programin e PS rolin e gruas në politikë. "Një grup po punon për rishikimin e programit tonë lidhur me rolin dhe mbështetjen që PS duhet t'i japë gruas, përmes transformimit të qeverisjes së vendit, ashtu si kundër ka filluar të konceptohet projekti i riaktivizimit të Forumit të Gruas Socialiste, ku do të synojmë një përfshirje sa më të gjerë dhe pse jo një qasje krejt të re, jo vetëm organizative, por edhe programore", u shpreh Rama.