E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon udhëtimi skenik i Sokratit nga Shqipëria

Mirush Kabashi kthehet nga festivali i teatrove “Teuta” në Mal të zi

Para pak ditësh aktori Mirush Kabashi është kthyer nga festivali ndërkombëtar i teatrove “Teuta” që zhvillohej në Mal të Zi. Edhe kësaj here, “Apologjia e Sokratit” ka qenë pjesa që për më shumë se një dekadë vazhdon që të jetë e kërkuar në festivale dhe skena të ndryshme shqipfolëse apo të huaja të teatrit. Gazetat vendase i bënë jehonë të madhe shfaqjes të vetme dhe të parë shqiptare që është dhënë deri më sot në këtë festival relativisht të ri që mban emrin e mbretëreshës të njohur, simbolit të Durrësit e më gjerë. Krahas nesh, merrnin pjesë trupa nga Bullgaria, Kroacia, Sebia, Bosnjë Hercegovina, Italia, Kroacia, Maqedonia, Gjermnia e Mali i Zi. Ja si do të shprehej e përditshmja “Dan” për Sokratin nga Shqipëria: “Në ambjentin interesant të mozaikëve romakë në Risan, selinë e mbretëreshës së njohur ilire Teuta, për nder të së cilës mbahet Festivali i dytë i Teatrit të Ri Antik ka marrë pjesë trupa e Teatrit Kombëtar Shqiptar nga Tirana e drejtuar nga Mirush Kabashi, regjisor dhe aktor, i cili luan rolin kryesor në pjesën ‘Apologjia e Sokratit’. Publiku në Risan ka përcjellur me vëmendje shfaqjen, duke u përpjekur që përmes përkthimit të titruar të tejkalojë barrierat gjuhësore. Vepra e autorit grek Kastas Varnalis e shfaq Sokratin si njeri të ditëve tona, duke konfirmuar vlerat e pavdekshme të mishëruara në kulturën antike. Kabashi vendos theksin mbi faktin se politikanët e vendeve Ballkanike duhet ta kuptojnë që sot rajoni ka më shumë nevojë se kurrë për kulturë dhe civilizim, ç’ka do të na çojë drejt integrimeve. Gjithashtu, sipas tij duhet kuptuar se integrimi nuk është humbja e ngjyrave të kombeve, ndaj, duhet të dalim nga mbyllja në vetvete.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›