Rama: Të rinjtë të braktisin llogoret e indiferencës
Kreu i PS-së ka vijuar turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në Divjakë, ku ka takuar të rinjtë
Rrugëtimi i Kryetarit të PSSH, Edi Rama, në "Dialogun me Shqipërinë" ka vazhduar në Divjakë, ku të rinjtë dhe aspiratat e tyre për një vend të jetueshëm kanë qenë tema kryesore e bashkëbisedimit. Rama i ka bërë thirrje të rinjve që të heqin dorë nga indiferenca dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të PS-së për ndryshimin e realitetit ekzistues. "Kjo është e mundur në rast se ne braktisim llogoret e indiferencës, braktisim llogoret e skepticizmit, braktisim llogoret ku na kanë detyruar të gjithëve të futemi në një politikë që për 17 vjet flet me vete dhe për vete, dhe jo me ne dhe për ne", - u shpreh Rama. Sipas tij, duhet të jetë mision i çdo të riu, që të kontribuojë në realizimin e një Shqipërie, ku çdo shqiptar të jetojë me dinjitet.
Kjo për kryesocialistin mund të bëhet realitet vetëm duke e kuptuar politikën si një mjet për të zhvilluar vendin dhe jo si një mjet për të përfituar persona të veçantë. "Kjo realizohet duke e kuptuar politikën jo si profesion, por si pasion për të ndryshuar jetën tuaj, për të ndryshuar jetën e fshatit dhe të qytetit, për të ndryshuar kushtet në shkollat tuaja, rrugët e së nesërmes tuaj, atëherë realisht gjërat mund të ndryshojnë. Është koha që t'i jepni njëri-tjetrit, t'i jepni shoqes dhe shokut në shtëpinë përballë, në fshatin apo qytetin ku jetoni dorën e një solidariteti të ri, sepse të gjitha ato probleme që ju hasni sot, në shkollë, në rrugë, në familjet tuaja, nuk mund të zgjidhen pa ju. Janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen tuaj",- tha Rama. Gjithashtu kreu i PS-së ka vlerësuar si një domosdoshmëri nevojën për krijimin e një bashkimi të ri, përtej kufijve dhe flamujve të partive politike. Vetëm në këtë mënyrë, ka theksuar kryesocialisti, do të bëhej i mundur rrëzimi i politikës së vjetër dhe realizimi i projektit të politikës së re. "Duam të ndërtojmë një politikë të re, ku çdo i ri, pavarësisht se lind në qytet apo fshat, pavarësisht se rritet në qendër apo periferi, të ketë mundësi që ta zhvillojë talentin e vet, të ketë mundësi që me aftësitë e veta të shkoj në universitetin që dëshiron dhe me dijet e marra të mund të jetojë me punë të ndershme dhe me këtë punë të ndershme, të ndërtojë të gjithë atë perspektivë që ëndërron për veten, familjen, komunitetin apo atdheun e vet", - tha Rama.