Respekti i rremë për shoqërinë civile
Lexova me vëmendje shkrimin e djeshëm të përfaqësuesit të BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim), z.Daniel Berg. Toni i qetë dhe respekti që ka në dukje për OJF-të - nënkupto: Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, e cila kundërshtoi ashpër para zv.presidentit të kësaj banke, z.Friedman, politikën që ka ndjekur BERZH për objekte industriale në Gjirin e Vlorës, të krijojnë përshtypjen sikur edhe argumentet e tij në shkrimin e djeshëm janë të sakta dhe të drejta.
Që në krye po ju nënvizoj se të tilla banka të mëdha, sikurse e dimë nga eksperienca jonë disavjeçare, sidomos me Bankën Botërore, nuk kanë ndonjë respekt për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile. Asnjë nga argumentet tona nuk është përfillur në gjithë këta vite, asnjëri nga vendimet e padrejta mjedis-shkatërruese të këtyre bankave nuk është prapësuar. Kjo ndoshta pse bankat, për vetë natyrën e tyre, dinë të flasin kryesisht me gjuhën e parasë, për ta interlokutorët e vetëm janë qeveritë dhe bizneset dhe në një konflikt midis faktorëve të përfitimit ekonomik dhe faktorëve të përfitimit mjedisor, doemos do të fitojnë argumentet e parasë. Në dukje bëjnë sikur i dëgjojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile, në thelb i përçmojnë si diletantë të ekonomisë, diletantë të financave, e ku di tjetër çë. Janë të tjera organizma dhe institucione, ato që i detyrojnë bankat shpesh të tërhiqen nga vendime negative për kreditim industrish ndotëse. Presioni i shoqërisë civile, me sa duket, duhet të mbërrijë deri në beteja në rrugë, në ngritje masive të popullsisë, që të detyrohet një bankë e madhe të tërhiqet nga vendime të mbrapshta. Kurse disa përfaqësues të shoqërisë civile të ulur në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të bankave, shërbejnë vetëm për të bërë fasadën e demokracisë.
I them këto, sepse vë re që përsëri asnjëri nga argumentet e shoqërisë civile - që përfaqësohej në dt.14.04. edhe nga ekologjistë të njohur jashtë Aleancës, si z.Xhemal Mato - për pezullimin e punimeve për TEC-in dhe moskreditimin e Petroliferës, nuk pranohet të zërë vend në arsyetimin e z. Berg. Konkretisht:
1. Petrolifera nuk hyka në rrezen e veprimit të Konventës së Aarhusit. "Komisioni i përputhshmërisë me Konventën e Aarhusit është informuar nga ne se kapaciteti i magazinimit të këtij projekti (Petroliferës) është nën pragun e kërkuar për aplikimin e Konventës së Aarhusit".
Në Vendimin e vet, të dt.31.07.2007, ky Komision paralajmëron qeverinë shqiptare për shkelje të kësaj Konvente lidhur me miratimin e Parkut Energjitik. Vërtetë këtu nuk përmendet "Petrolifera", por dihet mirë se ky projekt ishte një nga pikat themelore të Parkut Energjitik. Zoti Berg e njeh besoj marrëveshjen e turpshme koncensionare midis qeverisë shqiptare dhe "La Petroliferës", ku kësaj të fundit jo vetëm i falen 18,2 ha tokë (për 1 Euro), por ku theksohet gjithashtu se kjo sipërfaqe është pa mbushjet në bregdet; e veç kësaj, kompanisë italiane i dhurohet edhe një brez toke 500 m linear rreth e përqark 18,2 hektarshit, ku nuk lejohen ndërtime të tjera, çka do të thotë se zona e veprimit industrial të kësaj kompanie në të vërtetë shkon 60 e më shumë hektarë, dhe ajo përsëri nuk rënka nën veprimin e Konventës së Aarhusit...
Më tej, z.Berg harron efektin kumulativ të veprave industriale. Në qoftë se veprimtaria industriale e "Petroliferës" zhvillohet në krah, as një kilometër larg TEC-it, duhet parë efekti i tyre i përbashkët mbi mjedis. Qysh tani po kryhet, p.sh., shkatërrimi i përbashkët i pyllit të Sodës dhe i plazheve ranore. Ç'do të ndodhë kur të vihen në punë këto dy vepra? Si do të jetë ndryshimi i cilësisë së ujërave detare dhe e rërës në atë bregdet? Mund të themi përsëri se është fjala për vepra minore, që nuk i kap Konventa e Aarhusit? Ja pra një argumet që përdoret sa për të hedhur hi, apo më saktë rërë syve.
2. Ndërsa për rastin e "Petroliferës", z.Berg i referohet Konventës së Aarhusit, për TEC-in ai as nuk e përmend fare këtë Konventë, megjithëse komisioni përkatës, në vendimin e lartpërmendur të dt.31.07.08 thotë shprehimisht se qeveria shqiptare (nënkupto, në bashkëveprim me bankat që e mbështetin) nuk ka plotësuar detyrimet e saj për informimin e publikut të prekur dhe tërheqjen e tij në vendimmarrje. Këtij i thonë argumentim selektiv! Përsa i takon TEC-it, z.Berg përmend vetëm ekspertët e tij të pavarur, Mekanizmin e Pavarur për Ankimim të Bankës, vendimin e të cilit janë duke pritur. Bankës së tij nuk i intereson aspak një mekanizëm i pavarur i OKB (do t'i interesonte sikur vendimi i Gjenevës të ishte pro projektit, por ajmé, është kundër), bankës së tij i intereson vetëm që paraja të vejë e të vijë. Dhe konkretisht ajo po vejevjen, nuk ka asnjë shenjë se BERZH-i apo Banka Botërore kanë ndërmend të ndërpresin kreditimet e bashkë me to punimet, në pritje të këtyre "investigatorëve të pavarur", pale pastaj të ndërpresin financimet si reflektim ndaj paralajmërimeve të Gjenevës, për shkelje flagrante të njërës prej Konventave më të mëdha ndërkombëtare.
Paragrafi i fundit i letrës së z.Berg flet vetë: "Banka e ka të qartë se ka shumë pikëpamje mbi çdo projekt dhe ka ndryshime midis këtyre projekteve, sipas grupeve të interesit". Kjo do të thotë se edhe pikëpamjet do të vazhdojnë të mbeten të ndryshme, dhe banka do të vazhdojë të bëjë punën e saj. Kjo do të thotë se, siç quan grup interesi manjatët e naftës që qëndrojnë prapa TEC-it dhe "Petroliferës", po kështu z.Berg quan edhe popullsinë e Vlorës, 14.000 e më shumë firmëtarët për referendum. Të tepërta fjalët e mëtejshme.