E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri shkrumbon shtëpinë, 14 banorë të pastrehë

 Shkodër, shkaku i zjarrit që ka djegur pasditen e djeshme banesën mësohet se është një shkëndijë elektrike

SHKODËR- Energjia elektrike ka shkaktuar djegien e një banese dykatëshe në fshatin Ashtë të Shkodrës, ndërsa 14 pjesëtarë të tre familjeve kanë mbetur pa strehë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18.00 të ditës së djeshme dhe në momentin e rënies së zjarrit askush prej pjesëtarëve të familjeve Nush Pepa, Gjovalin Pepa dhe Vasil Pepa nuk ka qenë brenda shtëpisë. Ata kanë qenë duke punuar tokën në arat e tyre kur kanë pare tymin që dilte nga çatia. Me mjete rrethanore të ndihmuar dhe nga fqinjët ato janë përpjekur ta shuajnë zjarrin por banesa tepër e vjetër ka marrë flake e tëra duke shkrumbuar gjithçka. Dhe dy zjarrfikëset e ardhura nga Shkodra nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë, vetëm kanë bërë lokalizimin e zjarrit për të mos lejuar që ai të përhapej në banesat e tjera afër saj. Sipas ekspertëve të zjarrfikëses, shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike e shkaktuar nga luhatja e tensionit , dhe instalimet elektrike tepër të vjetra e të amortizuara të banesës. Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka djegur gjithçka ndërsa 14 pjesëtarë e tre familjeve që sonte nuk do kenë strehë ku të jetojnë. Sipas banorëve të Ashtës, shtëpia ka qenë e vjetër por me mur guri të punuar me kujdes, ndërsa pajisjet brenda saj kanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Ato që jetonin aty janë përpjekur me zorrë uji që të shuajnë zjarrin por rënia e çatisë dhe shembje e një pjese të mureve të saj ka rrezikuar dhe jetën e atyre që përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›